SPAK konfirmon: Kemi nisur hetimet për shembjen e Teatrit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të mërkurë ka bërë me dije se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit.

Përmes një shkrese dërguar sekretarit për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, SPAK ka konfirmuar nisjen e hetimeve.

Ndër të tjera, në shkresën e siguruar nga “abcnews.al” bëhet me dije se dhe kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal.

“Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithë anshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informoj në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Godina e Teatrit Kombëtar u shemb të dielën, në 17 maj të 2020, në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat nxorën me dhunë protestuesit nga mjediset brenda godinës.

Pas shembjes së Teatrit nisën protesta nëpër rrugë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, protesta që u mbështetën dhe nga opozita.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.