Skandali/ Policia dinte gjithçka mbi komisarin skafist

Vrasja e 7-vjeçares Jonada Avdia nga polici Arjan Tase në plazhin e Potamit me një skaf gjigant po merr përmasat e një skandali që ka përfshirë Policinë e Shtetit, krahas faktit që është një tragjedi për familjarët dhe traumë për të gjithë shoqërinë.

Siç raporton “News24”, policia e Vlorës ishte në dijeni të aktivitetit të ish-shefit të Policisë së Himarës dhe lëvizjeve të tij të dyshimta me skafin e fuqishëm në jug, por askush nuk kishte ndërhyrë.

Policia Kufitare ishte vënë në dijeni nga qytetarë, por edhe nga vetë strukturat e policisë së Arjan Tase kishte një skaf të madh, me të cilin lëvizte nëpër breg, duke rrezikuar jetën e pushuesve, por duke qenë se kishin të bënin me një koleg, askush nuk ndërhyri derisa ndodhi tragjedia më 2 gusht.

Ky është edhe shkaku përse u shkarkua i gjithë zinxhiri komandues i Policisë Kufitare në Vlorë dhe përse ata po hetohen për shpërdorim detyre, pasi askush nuk i tha “stop” policit me skaf, Arjan Tase.

Një element tjetër shqetësues ka të bëjë me raportin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila duket se ka tentuar të lehtësojë Arjan Tasen, pasi vrau 7-vjeçaren, duke shënuar në raport se goditja kishte ndodhur 15 metra në thellësi të detit.

Ky detaj e lehtësonte Tasen, pasi tregon se ngjarja ka ndodhur në thellësi ku mund të lundronte skafi dhe jo në zonën e mbushur me plazhistë.

Megjithatë, ky raport u hodh poshtë nga Prokuroria e Vlorës, e cila e klasifikoi ngjarjen e rëndë si “vrasje me dashje në mënyrë indirekte”, pavarësisht se kolegët donin ta lehtësonin Tasen.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.