Skandali me fondet e UEFA-s, reagon Federata Shqiptare e Futbollit: Asgjë e vërtetë

Sipas “Panorama Sport”, dje në zyrat e FSHF-së janë paraqitur dy persona, që pas interesimit të gazetës, rezultuan se ishin përfaqësues të një zyre përmbarimore. Më pas mësuam se javën e shkuar, FSHF-së i janë bllokuar llogaritë bankare, për shkak të disa transaksioneve të dyshimta të parave, duke bërë shkelje të rënda njëra pas tjetrës. E gjitha kjo mund të përfundojë edhe në prokurori, por mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë organet ligjzbatuese gjatë ditëve në vijim.

Shkak për bllokimin e llogarive të FSHF-së është bërë fakti që paratë e së drejtës televizive dhe paratë që UEFA ka akorduar për klubin Tirana nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një vit më parë, nuk janë derdhur në llogaritë bankare të 25 herë kampionëve të Shqipërisë, por në llogari të tjera. Në mes është futur përmbarimi dhe më pas skandali ka marrë përmasa të frikshme.

Klubit të Tiranës i takonte të merrte rreth 1 milion euro shpërblim, pasi kaloi dy ture në Champions dhe arriti deri në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë. Shpërblimet për arritje të tilla UEFA i akordon në vitin pasardhës dhe i derdh në llogaritë e federatave përkatëse (në këtë rast FSHF-së), të cilat më pas ua kalojnë klubeve. Ndërkaq, klubit i takonin edhe afro 65 mijë euro nga e drejta televizive.

Tirana i ka llogaritë bankare të bllokuara për shkak të një gjyqi të humbur me ish-presidentin e ndjerë të klubit bardheblu, Metush Seferi. Kjo çështje është fituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe tani e ka marrë në dorë përmbarimi, duke ia bllokuar llogaritë Tiranës prej disa kohësh.

SKANDALI I FSHF-së

Federata është njoftuar nga zyra përmbarimore se klubi Tirana i ka llogaritë të bllokuara dhe për çdo transfertë që do të bëhet në arkat e bardhebluve, do të duhet të njoftojnë përmbarimin, siç e parashikon edhe ligji. Mirëpo, FSHF-ja ka shpërfillur totalisht ligjet e shtetit, duke i kaluar Tiranës paratë e UEFA-s në rrugë të tjera. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se pas disa njoftimeve me shkresë në adresë të FSHF-së nga zyra e përmbarimit, “se ku janë paratë që ka akorduar UEFA dhe ato të së drejtës televizive për Tiranën dhe si i kanë kaluar ato klubit bardheblu ndërkohë që llogaritë i ka të bllokuara”, atëherë kanë paralajmëruar se do t’i bllokojnë llogaritë edhe FSHF-së. Pasi i kanë lënë kohë mjaftueshëm dhe janë kryer të gjitha procedurat, ka ardhur edhe vendimi për t’i bllokuar llogaritë FSHF-së. Skandaloze! Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të sfidojë shtetin dhe të kryejë transaksione parash me kundërvajtje të tilla, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke “bekuar” paligjshmërinë mbi transparencën financiare në futbollin që ajo organizon.

Reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit

 I menjëhershëm ka qenë reagimi nga FSHF. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të institucionit thuhet se nuk ka sagjë të vërtetë nga ato që shkruhen në “Panorama Sport”.

Në njoftim thuhet se llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo.

 Në fund të njfotimit FSH lajmëron se është e detyruar t’u drejtohet organeve të drejtësisë për t’i dhënë fund këtyre praktikave përlbaltëse.

 Njoftimi i plotë i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe mediat në lidhje me një trillim të fabrikuar ditën e sotme në gazetën “Panorama Sport”. Në këtë artikull, ku predominon shantazhi dhe që përbaltja shitet si profesionalizëm, thuhet se FSHF-ja gjendet në kolaps financiar, me rrogat që kalojnë me vështirësi prej muajsh, se llogaritë bankare të institucionit të futbollit në Shqipëri janë të bllokuara apo paratë që vijnë nga UEFA për klubet kalojnë në llogari të dyshimta. Shprehim keqardhjen më të thellë për degjenerimin e kësaj media që po përdoret nga botuesi si mashë për të goditur dhe përbaltur institucionin e futbollit shqiptar. Prej muajsh kemi refuzuar t’i përgjigjemi fletërrufeve që vinin nga kjo media, sepse fokusi jonë e energjitë tona janë të orientuara te puna dhe jo përgjigja ndaj presioneve apo tentativave për gjobëvënie.

Federata Shqiptare e Futbollit informon se në artikullin e publikuar ditën e sotme nuk ka asnjë të vërtetë të vetme! Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo.

Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se në marrëdhëniet e Federatës së Futbollit me anëtarët e saj, në asnjë rast të vetëm, nuk ka pasur transfertë bankare në llogari private apo të dyshimtë, siç pretendon kjo media. Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Institucioni i futbollit në vend është ndër të paktat institucione që të gjithë veprimtarinë financiare e kryen nëpërmjet sistemit bankar, duke qenë transparent dhe duke paguar çdo detyrim ndaj autoriteteve shtetërore. Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë dhe aq më pak të ketë ndonjë kolaps financiar siç pretendohet në fletërrufenë e sotme.

Më e pakta që fletushka “Panorama Sport” do duhej të bënte, ishte të kontaktonte Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun në FSHF për një reagim në lidhje me këto akuza të pretenduara. Në asnjë moment nuk ka mbërritur një kërkesë për informacion. Ky do duhej të ishte minimumi në respekt të gazetarisë.

Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar për të vijuar misionin e saj për përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të futbollit shqiptar, duke përmirësuar infrastrukturën, duke punuar për futbollin e fëmijëve dhe femrave, për rritjen e kapaciteteve njerëzore në tregun e futbollit. Ne nuk kemi kohë për të humbur me shpifje dhe tentativa gjobëvënëse nga individë apo media që kanë interesa okulte.

Federata Shqiptare e Futbollit është e detyruar t’u drejtohet organeve të drejtësisë për t’i dhënë fund këtyre praktikave përlbaltëse ku nuk mbahet përgjegjësi për dëmin që i shkaktohet institucionit dhe futbollit shqiptar.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.