Skandali i uniformave/ Dëshmia e Naqellarit: Askush s’e dinte sa duheshin

Ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari është një nga 9 zyrtarët e arrestuar për tenderin abuziv me uniformat e Policisë së Shtetit.

Në dosjen e SPAK, ndër të tjera, shkruhet se Edlira Naqellari ishte në dijeni të problematikave të konstatuara, por megjithatë e ka çuar deri në fund realizimin e këtij prokurimi abuziv.

Ish-drejtoresha Naqellari, në dëshminë e saj vijon të këmbëngulë se është e pafajshme, ndërsa shton se ende nuk e ka të qartë se cilin ligj ka shkelur.

Në deklaratën e dhënë për llogari të SPAK, ajo ka thënë se më në fund me tenderin që ajo po realizonte Policia e Shtetit do të vishej me uniforma siç duhej. Sipas saj, edhe vetë Drejtoria e Policisë së Shtetit nuk ishte e qartë se sa uniforma i nevojiteshin, sepse ka largime çdo vit dhe lëvizje numrash.

Për SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, por jo çmimin prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës.

Një shtesë për të mos ndryshuar çmimin ishte fakti se 35 milionë lekë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave.

Kujtojmë se 9 të dyshuarit: Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali i janë drejtuar Gjyaktës së Apelit dhe kërkojnë lehtësim të masave të sigurisë. Të dyshuarit janë lënë në burg, ndërsa e dyshuara Anisa Bogdani ndodhet në arrest shtëpiak.

SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik, ku u arrestuan ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani, dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.