Shtohet numri i përdoruesve të biçikletave, Veliaj: Lajm i mirë për qytetin

Numri i përdoruesve të biçikletave në Tiranë është shtuar ndjeshëm, sidomos vitet e fundit kur bota është përballur me pandeminë, apo me rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi pikën më të re të biçikletave në Tiranë, “Bike Point”, ku tha se kjo është periudha më e mirë për të kuptuar rëndësinë e përdorimit të dyrrotakëve.

“Fakti që është trefishuar numri i biçikletave që janë shitur, apo zhdoganuar, është një lajm shumë i mirë. Do të thotë se nuk jemi dorëzuar përpara kësaj sfide për diçka që s’e kontrollojmë dot, por kemi përqafuar një mundësi. Ndaj mezi pres që të shohim, jo vetëm përhapjen e dyqaneve të tilla nëpër lagje, por edhe përhapjen e kulturës që pasohet me shtimin e rrjetit të biçikletave. Këtë vit do të vazhdojmë ta plotësojmë atë që quhet “rrjeti minimal i biçikletave”, për të cilën po punojmë edhe me GIZ-in dhe KFW-në, dy agjenci gjermane të specializuara të zhvillimit urban”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku pohoi se Tirana i kushton një rëndësi të veçantë përdoruesve të biçikletave dhe kjo tregohet edhe me korsitë e shtuara. Sipas Veliajt, edhe shoferët e makinave janë ndërgjegjësuar dhe i respektojnë çiklistët e qytetit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.