“Shtegu i bregdetit të jugut” Dhërmi-Livadh i shtohet Rivierës

Rivierës shqiptare, e njohur kryesisht për ujërat e kristalta dhe klimën mesdhetare me nisjen e sezonit turistik, i është shtuar një shteg i ri prej 74 kilometra “Shtegu i bregdetit të jugut”, Dhërmi-Livadh.

Këshilli i Qarkut Vlorë ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga ky shteg i mundësuar nga programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural SRD nga GIZ Albania.

Bukuria e maleve, fshatrat historikë, pamjet blu, ullishtet e shumta, plazhet e vogla, kanionet, barinjtë dhe të gjithë elementët e tjerë kombinuar me trashëgiminë e pasur kulturore dhe traditën kulinare të jugut do t’i sjellin të pasionuarve pas alpinizmit një përvojë të re, larg mbingarkesës turistike të bregut.

Rrugëtimi fillon me Dhërmiun, i vendosur buzë malit nën një faqe shkëmbi të pjerrët, i restauruar së fundmi me fasadat e bardha ku shkëlqejnë nën çatitë me pllaka.

Përmes shtigjesh të vjetra si ai i Mullinjëve, rrugësh të shtruara ose jo, ullishtesh dhe brigjesh, ky segment do t’ju shpjerë në kanione, manastire, kisha dhe shumë plazhe si ai i Dhërmiut, Gjipesë, Jalit, Akuariumit, me destinacion përfundimtar plazhin e Livadhit.

Shtegu është lehtësisht i përshkrueshëm edhe nga persona që nuk kanë eksperiencë apo grupe shoqërore dhe familjare, por rekomandohet të kryhet jashtë orëve të temperaturave të larta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.