Shirat e rrëmbyeshëm/ Fillojnë rrëshqitjet e gurëve në aksin Berat-Skrapar

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, që kanë filluar që prej mesditës së sotme në qarkun e Beratit, kanë sjellë edhe problemet e para në aksin nacional Berat-Skrapar.

Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan ka filluar rrëshqitja e gurëve në rrugë,duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Aksi Berat-Skrapar është një aks nacional me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh, por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh.

Shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi gjatë stinës së dimrit,vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës janë ankuar shpeshherë. Rënia e gurëve ka sjellë dimrin e vitit të kaluar edhe rrëshqitje të masiveve gurësh të mëdhenj, që fatmirësisht nuk kanë rënë mbi mjetet në ecje. Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike, por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër. Situata në këtë aks vijon të jetë e njëjta që prej 1 ore, në prirje të punonjësve të mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan për pastrimin e saj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.