“Rrogat dhe targat”/ Ngjela kërkon dorëheqjen e Ramës

Avokati Spartak Ngjela tha se, kryeministrit Edi Rama i kanë vjedhur shtetin dhe ai duhet të japë dorëheqjen, duke treguar “forcë dhe jo dobësi”.

Duke komentuar skandalin me të dhënat në emisionin “Pikat mbi i”, Ngjela tha se Rama ka humbur garancinë e individit. Fakti që kërkon të falur, sipas tij, thotë që nuk e ka bërë detyrën.

Ngjela: Dorëheqja është forcë, nuk është dobësi se thotë unë nuk kam gisht me këtë që kam ndodhur. Ç’do të thotë faj? Ti nuk u ke dhënë garanci njerëzve. Është humbja e garancisë së individit. Çfarë mendoni se ka kryeministri si devizë? Të mbrojë garancinë time. Këtij i kanë grabitur shtetin. Nuk ndodh asgjë dhe po dha dorëheqjen. Nuk e mbron Rama shtetin. Pse ra Rama, bie struktura e shtetit? Po Rama është në një situatë të rëndë sociale, jep dorëheqjen dhe shikon ta stabilizojë hap pas hapi. Por duhet të japë dorëheqjen.

Problemi është që këtij i morën shtetit. Si, qysh, kush, ato i zgjidh drejtësia. Por këtij i morën shtetin në pikën më të nxehtë të tij. Ç’faj kanë njerëzit që nuk ke ditur të mbrosh personalitetin e tyre? Fakti që i kërkon të falur, i thotë që nuk kam bërë detyrën. Nëse s’ke bërë detyrën, ik, thyej qafën. Por ne nuk kemi institucion dorëheqjen. Nuk njihet dorëheqja këtu. Deri tani ka dhënë vetëm Nano. Për këta të tjerët, dorëheqja është veprimtari armiqësore.

Ekspertët që kam pyetur unë më kanë thënë se nuk janë hakerë, janë punonjës të brendshëm, sepse i kanë marrë segmente-segmente. Ata më thanë që nuk janë hakera. Por edhe po të ishin hakera, ti duhet të kesh një mbrojtje të madhe të IT-së. Me sa më thanë ekspertët ky e ka të nivelit të lartë IT-në. Dhe këta kanë filluar të hetojnë punonjësit. Varet se çfarë niveli të lartë ka hetimi. Po ka ndihmë nga Perëndimi e arrin.

E mori Prokuroria e Tiranës se krimi është bërë në Tiranë. Është vendndodhja e krimit. Ata e filluan, por për mendimin tim duhet ta kishin çuar në SPAK. E çuan këtu, sepse nuk ka të akuzuar të lartë. SPAK-u nuk e merr dot kryesisht, por nëse u del ndonjë ministër nën hetim, shkon në SPAK.

Për avokatin Ngjela, publikimi i të pagave të qytetarëve shqiptarë dhe rrjedhja e informacionit me të dhënat e tjera e ndihmon antikorrupsionin.

Ai mohoi kategorikisht që informacione të tilla të jenë publikuar nga opozita, pasi ajo është e goditur po ashtu.

“Kur të fillojnë arrestimet, ai që ka fitimet e mëdha nuk mbrohet dot. Nuk e kam të konsoliduar si mendim, por jemi në gjykim apriori. Nëse do e dëmtonte antikorrupsionin e kanë ndërmarrë vetë ata. Mendimi im është që e ndihmon antikorrupsionin pasi ka dalë transparenca. Këtë do ta shikojmë edhe me ekspertë. Destabilizimi duhet të vijë nga opozita.

Por opozita është goditur më shumë nga kjo. Si qenka kjo punë? Nuk e ka bërë njëri krah se janë të dy të goditur. Ajo që më duket e afërt është që antikorrupsioni i ka këto. Ai i ka nxjerrë? Nuk di ta them”, u shpreh Ngjela.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.