Rrëfehet babai i efektivit: Para dy vitesh ka pasur një përplasje në Lezhë, policia ta gjejë kush ma vrau
Babai i policit Xhulio Prela, 26-vjeçarit që u gjet i vrarë në automjetin e tij në autostradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush, nuk ka asnjë të dyshuar se kush mund ta ketë vrarë djalin e tij, ndërsa nuk lë pa përmendur dhe disa probleme apo presione që i riu ka pasur në punën e tij.
Martin Prela kërkon me ngulm zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë. Në një intervistë për “News24,” ai hedh dritë mbi një konflikt të djalit para dy vitesh, ndërsa shton se pikërisht për shkak të këtij problemi ka kërkuar transferim në Shkodër.
“Lajmin e mora në 5 të mëngjesit nga nipi im. Më thanë se ka bërë aksident. Nuk ma treguan të vërtetën. Pastaj kur u afruam më thanë që e kanë vrarë. Me djalin hëngrëm darkë, ishte i qetë. U zgjua herët e iku në Rinas, mori një mikun e tij që vinte nga jashtë dhe e çoi në Shkodër. Kur u kthye për të ardhur në shtëpi ndodhi ngjarja. Jam i tronditur. Nuk e di nga se ka ardhur. Nuk kemi konflikte dhe as gjak me njeri.
Djali ishte i fejuar. Ndoshta konfliktet janë të punës. Më ka thënë se para 2 vitesh ka pasur një përplasje me dikë në Lezhë, sepse djali ka zbatuar ligjin. Nga kjo kërkoi transferim në Shkodër. Mbase është ky konflikt, nuk e di. I bëj apel policisë ta zbardhë ngjarjen. Ta gjejë kush ma vrau. Ai nuk ngjallet më, por është një lloj lehtësimi për mua”,– shprehet babai i Xhuljo Prelës.
Sorry, the comment form is closed at this time.