Rindërtimi pas tërmetit/ Ambasadori Bucci: Le të ecim përpara

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u takua sot me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

Ambasada e Italisë në Tiranë, bëri të ditur se takimi rreth programeve për rindërtimin pas tërmetit ishte frytdhënës.

“Takim frytdhënës me ministrin, Arben Ahmetaj dhe me administratat shqiptare për të biseduar rreth programeve italiane për rindërtimin pas tërmetit. Le të ecim përpara. Së bashku ne mundemi”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Kontributi italian që kap shifrën prej 95 milionë euro, i ndarë ky në 5 milionë euro grante dhe 90 milionë euro kredi e butë, synon mbështetjen e Shqipërisë si në procesin e Rindërtimit, në kuptimin e plotë të fjalës, ashtu dhe në nxitjen e disa prej sektorëve strategjikë të ekonomisë.

Granti prej 5 milionë euro grant angazhohet për rindërtimin e objekteve publike, që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërsa kredia e butë prej 90 milionë euro angazhohet në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit, në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit, në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.