Reagon Bashkia e Durrësit: Basha bën politikë me fatkeqësitë njërëzore

Në një njoftim, Bashkia Durrës sqaron se kjo familje nuk ka kryer asnjë aplikim në bashki, as për të përfituar bonus dhe as për të përfituar nga ndonjëri prej programeve të rindërtimit.

“Sipas aktit normativ të qeverisë shqiptare nr.9 dt.16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” si dhe VKM nr.5 dt.06.01.2020 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit dhe projektet model” përcaktohet qartë se çdo subjekt i dëmtuar nga tërmeti duhet të aplikojë në njësinë përkatëse për të përfituar nga programet e rindërtimit si dhe bonus qiraje”, thuhet në njoftim.

Sipas bashkisë, këto janë instrumente ligjorë të domosdoshëm për të përfituar nga këto programe.

Bashkia tregon se janë mijëra familje durrsake që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga procesi i rindërtimit, bonus qiraje, riparimin e pallateve të tyre, grante rikonstruksioni e rindërtimi, shtëpi individuale dhe apartamente të reja dhe kjo vetëm falë një aplikimi të thjeshtë.

“PD dhe Basha të cilët vijojnë të bëjnë politikë me fatkeqësi njerëzore kanë gjetur pikërisht një familje që nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga këto programe dhe duan të hedhin baltë mbi një proces historik, siç është ai i rindërtimit”.

Bashkia Durrës thekson se në sajë të këtij procesi qyteti po ringrihet më i fortë se më parë, tashmë duke iu rikthyer edhe normalitetit.

Në përvjetorin e dytë të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kryetari i PD, Lulzim Basha ishte në Durrës ku pasi vizitoi familjen Kujtim e Nexhmije Shkalla, që jeton sipas tij ende në banesën e rrënuar, përcolli një mesazh për të gjithë ata që humbën familjarët e të dashurit e tyre, por edhe për të gjithë shqiptarët.

“Jemi të vetëdijshëm po kështu që ka kaluar 2 vjet dhe kjo plage nuk është lehtësuar, por është bërë dhe më e rëndë nga braktisja. Sepse kjo është koha për të kujtuar sesi 2 vjet më parë dhe 2 vjet në vazhdim njerëzit u braktisën, u lanë në mëshirë të fatit. Një pjesë e madhe prej tyre sot janë akoma në çadra, kanë kaluar dimrin e dytë në çadra, po hyjnë në dimrin e tretë në çadra”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha tha se kjo është vetëm njëra pamje e tragjedisë, pamja tjetër është ajo çfarë ka zgjatur për dy vite me radhë, të cilën e konsideroi si ç’njerëzore dhe sipas tij është harresa e braktisja.

Kjo e premte shënon dy vjetorin e tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku si pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.