Rama për median greke: Plane të përbashkëta për energjinë

“Kemi plane të përbashkëta dhe shumë të dobishme reciprokisht dhe na duhet vetëm që të ecim përpara me shpejtësi dhe të përfitojnë nga këto plane, nga fakti që mund të shkëmbejmë energji duke qenë se kemi burime të natyrave të ndryshme, ne jemi hidro 100 %, Greqia është gaz, është termo”.

Kështu ka deklaruar kryeministri shqiptar Edi Rama në një prononcim për kanalin televiziv grek ERT, që ndoqi nga afër vizitën në Tiranë të ministrit grek të Energjisë dhe Mjedisit, Kostas Skrekas.

Për Ramën, ishte kënaqësi që u takua me ministrin dhe delegacionin, me të cilin “u fokusuan në planet konkrete të bashkëpunimit në sektorin energjetik”.

Kanali televiziv publik i shtetit fqinj ka pasqyruar edhe deklaratën e ministres shqiptare të Energjisë, Belinda Balluku, sipas së cilës, janë diskutuar mundësitë e investimeve që pala greke mund të bëjë në Shqipëri, sa u përket burimeve të reja energjetike.

“Sigurisht, flasim mes nesh për burime të gjelbra energjetike”, saktësoi zonja Balluku.

Për ERT ka folur edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas takimit në zyrën e saj me ministrin grek.

“Turizmi është gjithashtu një temë që ne e ndamë, sepse mjedisi dhe zonat e mbrojtura janë po ashtu një atraksion turistik dhe duhet t’i mbrojmë, por duhet edhe në mënyrë të qëndrueshme t’i zhvillojmë”, tha Kumbaro.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.