Birësimi i fëmijëve nga LGBT, tërhiqet qeveria

Qeveria shqiptare është tërhequr nga dy projektligjet për birësimin e fëmijëve.

Pak muaj më parë, qeveria shqiptare riktheu për diskutim projektligjet për ndryshimin e Kodit të Familjes, Kodit Penal dhe Ligjit të Birësimit, kërkesë që vinte përfaqësues të komunitetit LGBTI+, të cilët kërkonin të përfitonin ligjërisht të drejtën e birësimit apo të regjistrimit të një fëmije.

Burime të ndryshme bëjnë me dije se, qeveria shqiptare është tërhequr nga të dy projektligjet, çka do të sillte dhe ndryshimin e Kodit Penal, por dhe të Ligjit për Birësimin nga prindër jo-natyralë.

Projektligjet që ishin rikthyer për diskutim nga qeveria pas kërkesave nga komuniteti LGBTI+, pritej të hynin në fuqi pas ndryshimeve që do të pësonin, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.

Por pas presionit të vazhdueshëm të shoqërisë civile, komuniteteve fetare, qeveria shqiptare është tërhequr nga këto ndryshime dhe nga dy projektligjet që do të sillnin ndryshime të mëdha në Kodin e Familjes, por dhe në atë Penal.

Projektligjet

Komuniteti LGBTI+, duke iu referuar ligjeve të birësimit në disa vende anëtare të BE, kërkoi që edhe në Shqipëri të njihej e drejta që çiftet gay apo me preferenca të tjera seksuale të kishin të drejtën e birësimit dhe më pas të regjistrimit të një apo më shumë fëmijëve.

Gjithashtu, në projektligj synohej që e drejta e birësimit t’u jepej edhe personave që nuk ishin të martuar.

Në propozimet e bëra nga komuniteti LGBTI+ për këtë pikë kërkohej që neni 163, që saktëson termin “mes burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”, të zëvendësohet me “mes 2 personave që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”.

Projektligji parashikonte ndërhyrje në Kodin e Familjes për lejimin e bashkëjetesës për personat nga e njëjta gjini.

Ndërkohë, projektligji i dytë lidhej me njohjen e identitetit gjinor, ku në 3-mujorin e parë të këtij viti – që përkon edhe me muajin ku jemi – qeveria shqiptare do të bënte propozimin dhe miratimin e këtij ligji.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.