Trafiku ilegal/ Pse po përdoren shqiptarët pas Brexit?

U bënë disa javë që kryesisht tabloidët, por edhe disa media britanike që në qendër te fokusit të tyre kanë kalimet ilegale nga Franca drejt Anglisë, duke e interpretuar si dështim të qeverisë aktuale dhe si shembull marrin emigrantët shqiptarë që nuk vijnë nga një zonë lufte apo konflikti.

Por kjo nuk është gjë e re, pasi të tillë kanë qenë shumica e emigrantëve shqiptarë sidomos nga viti 2000 e këtej, e gjithmonë politika britanike ka dështuar qeveri pas qeverie, që të adresojë çështjet e emigracionit ilegal.

Brexit paradoksalisht hapi “Kutinë e Pandorës”, dhe që prej daljes nga BE-ja kalimet ilegale janë shtuar si ato me maune apo kamionë ashtu edhe me gomone. Dhe lajmi me i fundit është se në kuadër “te uljes së çmimeve për sezonin e verës”, kalimet tashmë janë me çmim akoma më të reduktuar deri në 1500 paund.

Emigrantët shqiptarë në shumice janë viktima te trafikimit dhe krimit të organizuar, të cilët i përdor sidomos kategorinë e moshës 20-30 vjeçare, si kopshtarë në fermat e kanabisit apo “shtëpitë e barit” siç njihen ndryshe, pasi fitimi është i madh si për krimin e organizuar, ashtu edhe kopshtarët.

Drejtësia evropiane e ka pezulluar politikën e dërgimit të emigrantëve që vijnë me gomone drejt Ruandës, dhe qeveria britanike është e dëshpëruar, në kushtet e mungesës së një kryeministri të ri deri në shtator, por edhe më pas, që të frenojë kalimet e dyfishuara.

Pikëpyetja është se a do mundet sikur gjithçka te lejohet nga ana ligjore, që të prishet modeli i biznesit të krimit të organizuar dhe të dërgohen në shifra kaq të larta në Ruandë, shumica e atyre që kanë ardhur apo që po vijnë çdo ditë me gomone, dhe cila do jetë kostoja financiare e një politike të tillë, në kushtet kur Britania ka hyrë në një krizë të thellë të kostos së jetesës, e cila këtë dimër do përkeqësohet koma me shumë?

Fatkeqësisht as nga Britania as nga Shqipëria nuk ka përpjekje proaktive për punësim sezonal dhe të rregullt të shqiptarëve, të cilët në mungesë të saj bien pre e krimit te organizuar apo edhe nevojës për bashkime familjare në disa raste. Krimi është gjithmonë një hap ose disa përpara organeve ligjzbatuese, dhe në këtë rast kjo po vërtetohet. Aq sa po vërtetohet edhe parulla e Brexit për marrjen nën kontroll të kufijve, e cila nuk po ndodh.

Ndoshta ri-rregullimi i ndihmave sociale, dhe praktika si ato të vendeve të tjera si Italia, ku emigrantëve u jepet leje e përkohshme qëndrimi dhe punësimi, për disa vite, ku te paguajnë taksat, shërbimin shëndetësor dhe akomodimin e tyre pa ndihma nga shteti, do inkurajonte shumë syresh të mos binin ne duart e krimit te organizuar drejt ëndrrës për një jetë më të mirë. Por fatkeqësisht asnjë nga këto nuk duket në horizont dhe asnjë përpjekje për punësim te rregulluar sezonal, edhe pse Britania realisht ka lehtësuar se tepërmi dhënien e vizave për shtetasit shqiptarë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.