Profil/ Edlira, e përkushtuar për arsimin dhe shoqërinë

Pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë sot nga jeta pedagogia dhe ish-deputetja socialiste, Edlira Haxhiymeri.

Kush ishte profesoreshë Edlira Haxhiymeri?

U lind në Tiranë nga dy prindër dibranë, Tahir dhe Nustrete Haxhiymeri. Tahiri, si një pasardhës i familjes së Iljaz Pashë Dibrës (Qokut) ishte dhe mbeti si pedagogu që bëri më shumë për ata studentë dibranë që u shkolluan në ato vite në Tiranë. Ndërsa nëna e saj, Nustretja, ishte bijë në fisin e njohur të Shehlerëve.

Edlira, si një cucë dibrane, që në fëmijëri e ka ndjerë dhe përjetuar ndjenjën e fortë të dashurisë që vetë prindërit i kanë ushqyer për vendlindjen. Përfytyrimi i saj për Dibrën është si qyteti më i bukur, më i pastër, më mikpritës dhe më me traditë se çdo qytet tjetër.

Fati, puna, detyra e saj ia krijuan mundësitë që Edlira të vizitonte qytete vërtet të bukur dhe madhështorë të botës, si në lindje, ashtu edhe në perëndim, por kur kujton Dibrën, rruga e kthimit i bëhej edhe më e shkurtër se sa ajo që kishte vajtur.

Ky lloj vlerësimi shkonte deri atje saqë nuk e mendonte që jetonte në kryeqytet, por kryeqendra e vendit për të duhej pa dyshim që të ishte vendlindja e prindërve të saj, Dibra.

Edlira është shkolluar në Tiranë. Studimet universitare i ka kryer për Gjuhë Angleze dhe është specializuar për Psikologji. Që nga viti 1987 ushtroi detyrën si pedagoge pedagoge në fushën e Psikologjisë. Ka mbrojtur gradën “Doktore e Shkencave” dhe ka fitoi titullin “Profesore e Asocuar”.

Për Edlira Haxhiymerin, të arsimoheshe do të thoshte të ishe e aftë për ta kuptuar sa më mirë jetën, për të qenë e gatshme në përballjen me sfidat ë ajo të afron, në rrugët që shpesh s’kanë vetëm lule por edhe gjemba. Dhe jeta e saj mori një rrjedhë krejt ndryshe, – se siç shprehet vetë Edlira, – ishte një ëndërr e kahershme e prindërve të saj që të shkollohej e të bëhej mjeke. Me gjithë dëshirën e madhe që kishin prindërit, Edlira u rrit me ndjesinë e madhe për të qenë mësuese.

Ajo e ushtori profesionin e mësueses e pedagoges për gati tridhjetë vite: duke u shprehur se “Sidoqoftë, mjeke apo mësuese, i lidh bashkë të dyja profesionet puna me njerëzit. Arrita që në fund të kisha një profesion që i bashkon të dyja, ëndrrën e prindërve të mi dhe ëndrrën time. Kjo nuk ishte zgjedhja ime, por fati e deshi kështu. Jam e kënaqur dhe ndjehem krejtësisht e plotësuar në profesionin tim. Nuk jam ndjerë asnjëherë keq. I jam përkushtuar profesionit”

E lindur dhe e rritur në Tiranë, në metropolin shqiptar, por e lidhur shumë ngushtë me Dibrën, me vendlindjen e prindërve të saj, me origjinën e bukur, për të cilën ajo ndjehet krenare. Fëmijëria e saj ka qenë e bukur dhe e qetë, e rritur dhe e mbushur me dashurinë dhe kujdesin e prindërve e sot nga fëmijëria e dikurshme ende kujton gjithë nostalgji vizitat e përvitshme që bënin në Dibër. Kalonte atje pjesën më të madhe të pushimeve verore. Kujdesi i gjysheve, njohjet dhe rrethi i gjerë i njerëzve që e rrethonin, vizitat tek llixhat, në Dri, por edhe në fshatrat përqark për të takuar miq e të afërm të të dy familjeve, i bënin pushimet verore të veçanta dhe i jepnin mundësinë të preknin nga afër realitetin për të cilin prindërit i flisnin vazhdimisht.

Këdo që takon dhe ka pak lidhje me Dibrën, e shihte pozitivisht dhe me ndjesi të veçantë. Është përpjekur vazhdimisht që këtë ndjenjë të bukur për Dibrën dhe dibranët ta përcjellë sadopak edhe tek djali i saj. Një mësues i mirë. i cili respekton nxënësit e tij.

Gjatë 15 viteve të fundit Haxhiymeri mbajti pozicione të rëndësishme në arsimin e lartë, si Përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit, Zëvendës Rektore e Universitetit të Tiranës dhe Zëvendësministre e Arsimit (përgjegjëse për Arsimin e Lartë

Ajo ka patur një përvojë të pasur në aktivizimin e shoqërisë civile, kryesisht për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e grave. Ka mbajtur edhe postin si Drejtore Ekzekutive e Strehëzës për Gra dhe Vajza të Dhunuara në Tiranë.

Përveç kësaj, Haxhiymeri është autore dhe bashkë-autore e shumë artikujve në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, autore e teksteve shkollore për student si dhe drejtuese e projekteve kërkimore në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Ka botuar “Dhuna në familjen shqiptare”, “Sjellja njerëzore dhe mjedisi social”, “Rolet dhe steriotipet gjinore”, “Mitet dhe realitetet e dhunës në familje”, “Dhuna ndaj fëmijëve dhe pasojat në zhvillimin e tyre”.

Gjithashtu ka qenë e pranishme edhe në politikë.  Fillimisht ka qenë e angazhuar si eksperte e më pas si kandidate për deputete në një nga zonat e Tiranës, si zv.ministre e Arsimit, si prefekte e Tiranës dhe më pas si sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në Partinë Socialiste./

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.