“Prodho shqip, bli shqip, konsumo shqip”, Meta: Të ruajmë traditat tona

Në Ditën Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme, së bashku me një grup të rinjsh, presidenti, Ilir Meta ka vizituar fermën “UKA”.

Në një postim në ‘Facebok’ pas kësaj vizite kreu i shtetit ka bërë thirrje që “në situatën e Covid-19, është më e rëndësishme se kurrë, të mbështesim ushqimet që prodhohen në vend dhe njëkohësisht të ruajmë edhe traditat tona”.

“Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!

Në Ditën Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme, së bashku me një grup të rinjsh, vizituam sot fermën “UKA”, ku prodhohen vetëm ushqime bio, për të theksuar rëndësinë e prodhimit dhe të ushqyerit në mënyrë të qëndrueshme, që do të mundësonte një jetë të shëndetshme, si dhe do të prezanonte denjësisht vlerat e produkteve bio “Made in Albania” para turistëve të huaj, duke nxjerrë edhe më në pah vlerat tërheqëse të agro-turizmit shqiptar.

Në situatën e Covid-19, është më e rëndësishme se kurrë, të mbështesim ushqimet, që prodhohen në vend dhe njëkohësisht të ruajmë edhe traditat tona.

Të kthejmë vëmendjen dhe të rritim mbështetjen për bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë familjare dhe kombëtare.

Në këtë mënyrë forcojmë lidhjen me zonat tona, rikthejmë shpresën dhe ndalojmë shpopullimin e dhembshëm të trevave me pasuri të shumta natyrore.”, shkruan Meta

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.