“Prisja të bëhesha gjysh, por s’ngela as baba”, rrëfimi mes lotësh i burrit në Mamurras që humbi familjen nga tërmeti

Prej vitesh tërmeti ka qenë një vizitor i paftuar çdo natë në Thumanë. Ai futej frikshëm brenda pallateve e shtëpive dhe banorët dilnin të trembur për tu strehuar në makina apo në batanijet e shtrira në oborr.

Ajo që dukej se ishte bërë rutinë edhe me lëkundjet e tërmetit, u prish mëngjesin e ftohtë të 26 nëntorit, kur akrepat e orës shënonin 3.54 dhe kur goditja e fortë rrëzoi ndërtesa e mbajti brenda gërmadhave jetë njerëzish.

Thonë se dhimbja nuk mund të matet apo të peshohet, por tërmeti u tregua shumë i egër me familjen e Albert Carës, duke i marrë njëherësh 5 anëtarët e familjes, bashkëshorten Fatmira, djalin e madh Almirin dhe nusen Stela, vajzen Erisa dhe djalin Hasanin.

Alberti 59 vjeç është i vetmi i mbijetuar i familjes. Pas rikuperimit në spital në Itali, ai vazhdon jetën i vetëm duke punuar si shitës ambulant në Mamurras, ku punonte prej 30 vitesh. Këtë 1 vjetor të tragjedisë së tij, e pimë bashkë kafen e mëngjesit.

Është e vështirë për Albertin të flasë për atë natë, kur e gjithë familja iu shua para syve, por peng i ka mbetur djali i madh dhe nusja, të cilët hynë në shtëpi para se të binte tërmeti i orës 3.54 minuta. Ata kishin dalë pas tërmetit të orës 2 dhe u kthyen me shpresën se edhe Toka kishte fjetur…

Pse nuk qëndruan edhe pak jashtë? Pyet veten shpesh Alberti. Duke tundur kokën, tregon pafuqinë për t’i ardhur në ndihmë djalit, të voglit të shtëpisë Hasanit, i cili nuk gëzoi dot ditëlindjen e 18.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.