Presidenti i ri/ Emrat e preferuar të Ramës

Pas dy ditësh, të hënën që vjen, Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbajë seancën e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri te Republikës.

Deri tani gjasat janë që kjo seancë të ezaurohet pa kandidat, pasi negociatat mes palëve janë ende në fazë diskutimi për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.

Por ezaurimi i kësaj seance pa kandidat shton presionin mbi palët për të gjetur sa më parë një kandidat konsensual, sepse në rast të dështimit edhe të dy seancave të radhës, atëherë kjo do t’i krijonte mundësi mazhorancës ta votonte e vetme Presidentin e ri.

Dhe për këtë duket se shumica e majtë është e përgatitur, pasi ka mundur të seleksionojë më shumë se 60 kandidatë të propozuar nga deputetët socialistë.

Burime nga brenda mazhorancës thonë se, Rama e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjes së një emri nga grupi parlamentar dhe një kandidati politikë.

Nga ana tjetër, janë shtuar emrat që vijnë nga jashtë radhëve të socialistëve ose nga politika.

Mësohet se një emër potencial për t’u zgjedhur në postin e kreut të lartë të shtetit është ai i ish-kreut të KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi), Ardian Dvorani, një nga emrat më të sulmuar nga ana e opozitës dhe në mënyrë të veçantë nga Presidenti aktual, por i mbrojtur nga kryeministri Rama.

Dvorani gjithashtu shihet si favorit edhe për faktin se ai një vit më parë u nderuar nga SHBA si kampion i luftës kundër korrupsionit.

Një tjetër emër që ka dalë në skenë ditët e fundit është edhe emri i ish-kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit është aktualisht pjesë e organeve të vettingut dhe gëzon gjithashtu mbështetjen e mazhorancës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një emër i tretë që vijon të mbetet në tryezën e Ramës është edhe ai i Majlinda Bregut, e cila aktualisht është e angazhuar në pozicione drejtuese të institucioneve të BE-së.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.