Policia e Shtetit pjesë e komandës së Guardia di Finanza

Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano priti në takim një delegacion të Guardia di Finanzas, të kryesuar nga Giuseppe Arbore. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe domosdoshmëria për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Arbore i uroi Nano-s, suksese në detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje për realizmin e prioriteteve në interes të dy vendeve. Nga homologët u ofrua mundësia që oficerët e Policisë shqiptare të kryejnë trajnime në Shkollën e Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanzas.

Gjithashtu u ofrua që një përfaqësues i Policisë së Shtetit të vendoset në komandën e përgjithshme të Guardia di Finanzas, që do të sjellë koordinim dhe bashkëpunim më efikas mes dy policive.

I pranishëm në takim edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i cili vlerësoi bashkëpunimin e dy policive. Ai premtoi një mbështetje më të madhe të fqinjëve për Policinë e Shtetit. Në takim u ra dakord që në muajin nëntor të zhvillohet një konferencë e përbashkët ku do të prezantohen rezultatet e arritura gjatë 2021 në kuadër të monitorimit ajror për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.