‘Po na prish imazhin’, Policia i merr aparatin fotoreporterit

Në njërën prej skenave të përplasjes me tifozët, punonjësit e policisë ndaluan fotoreporterin në detyrë, Gent Shkullaku dhe i morën me forcë aparatin fotografik. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se ka nisur verifikimet për incidentin.

Në mes të një përplasjeje me huliganët italianë dhe holandezë, efektivët e Policisë së Shtetit u shqetësuan nga prania e fotoreporterit Gent Shkullaku, i cili ishte në krye të detyrës duke bërë foto të ngjarjes në orët e vona të së martës.

Shkullaku, drejtues i Light Studio Agency, LSA, i tha BIRN se policët e ndaluan dhe i morën me dhunë aparatin fotografik, duke i kërkuar që të fshinte fotografitë e shkrepura gjatë përplasjes së policisë me tifozët.

“Po fotografoja, kur më ndalojnë policët dhe më thonë ‘nuk lejohet, po na nxin imazhin e Shqipërisë.” Dhe më kërkuan që të fshija fotot,’ tha Shkullaku.

Shkullaku sqaroi më tej se policët i morën me forcë aparatin, pavarësisht tentativave të tij për t’i sqaruar se ai po bënte punën e tij, për të cilën ishte akredituar edhe tek UEFA. Në momentin e incidentit, ai mbante në qafe edhe dokumentin identifikues.

“Më kthyen aparatin vetëm pasi bisedova në telefon me zëdhënësin e policisë së shtetit, Gent Mullai, dhe ai i sqaroi policët. Por disa foto më detyruan t’i fshija me pretendimin se ata dukeshin me fytyrë,” tha Shkullaku.

Incidenti, sipas tij ‘është një tregues se polica shqiptare është e papërgatitur për përballuar situata të vështira, si dhe në sjelljen ndaj gazetarëve’.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Mullai tha se nuk ishte në dijeni nëse ishte marrë ndonjë masë për incidentin me fotoreporterin.

“Mund të nisë në ditët pas kalimit të situatës me ndeshjen e Conference Leauge,” tha Mullai.

Ndërsa një zëdhënës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i tha BIRN se kanë filluar verifikimet paraprake, por shtoi se gazetari duhet të kontaktonte AMP-në për të bërë denoncim për incidentin.

Në raportin e fundit të organizatës ‘Reporterë pa Kufi’, ku Shqipëria humbi 20 vende në indeksin e lirisë së medias, ndër të tjera vihej në dukej se gazetarët që mbuluan protestat dhe operacionet e policisë ranë pre e akteve të dhunshme nga polica.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.