Palushi, oficeri që kontrollonte gjyqtarë dhe prokurorë

Oficeri i Lezhës që u arrestua sot me urdhër nga SPAK dikur i është caktuar një rol i rëndësishëm në mbledhjen dhe koordinimin e informacioneve për gjyqtarët dhe prokurorët.

Leonard Palushi bashkë me kolegun e tij Bedri Hasanaj e drejtues të tjerë të uniformave blu, ishin ngarkuar nga Drejtori i Policisë në Elbasan, në atë kohë, Arjan Muça, për të raportuar mbi vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve që u duken si korruptive.

Kjo porosi u dërgohej nga drejtori Muça vartësve të tij, në një grup në “Whatsapp”.

Në mesazhin e tij thuhej:

“Të nderuar shefa! Deri në orën 14 të ditës së sotme, duhet të dërgoni me shkrim në adresën e Leonard Palushit, problematikat që keni pasur me prokurorët dhe gjyqtarët, lidhur me vendime që ju i dyshoni si korruptive për 5 vitet të fundit, duke dërguar çështje konkrete dhe emrin e prokurorit apo gjyqtarit. Detyra duhet realizuar me seriozitet dhe korrektësi. Flm!”

Ndërsa hetimet, kanë zbuluar se oficeri ka vepruar përmes uniformës së punës në kundërshtim me ligjin. Ai dyshohet se ka dekonspiruar operacionet policore për llogari të anëtarëve të grupeve kriminale.

Leonard Palushi, shefi i krimeve në Komisariatin e Lezhës  është vënë sot në pranga në kaudër të operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Nga zyra si nëpunës shteti, Palushi ishte kthyer në shërbim të bandave dhe jo pak herë u kishte ardhur në ndihmë atyre. Një prej rasteve që tashmë është zbuluar, ka lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazani, ngjarje e ndodhur më 20 korrik të vitit 2020 tek ‘Rrethrrotullimi i luleve’.

Sipas dëshmive të dhëna nga të penduarit e drejtësisë Nuredin Dumani e Henrik Hoxhaj, Palushi ka qenë personi që ka vënë armën e zjarrit në servisin e Albert e Seit Manhasës, babë e bir. Për pasojë, të dy u vunë në pranga, por më vonë u liruan për mungesë provash. Palushi ka parë me sy edhe vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha nga 21-vjeçari Aldi Rama, ngjarje e ndodhur në Lezhë më 28 shtator të vitit të shkuar.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.