Nisin aplikimet për subvencionim të 50% të faturës për blerjen e anijeve të peshkimit

Sektori i peshkimit, do të mbështetet për herë të parë këtë vit me subvencione nga skema kombëtare e bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se subjektet nisën aplikimet për përfitimin e fondeve në mbështetje të sektorit të peshkimit, për blerjen e anijeve të peshkimit apo për rinovim të infrastrukturës të tyre.

Aplikimet për masat mbështetëse 8 për subvencionim 50% të vlerës të blerjes së anijes së peshkimit dhe Masës 9 për subvencionim 50% për rinovimin e infrastrukturës së anijes do të zgjasin 1 muaj deri më 2 qershor 2022.

Për sektorin e peshkimit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka rritur edhe vlerën e përfitimit që do të përdoret për rinovimin e infrastrukturës së anijes të peshkimit. Ndryshimet e udhëzimit për kriteret e shpërndarjes të fondit nga programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2022 janë botuar në Fletoren Zyrtare.

Masa e përfitimit është 50% e vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 13,500,000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt. 

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.