Nikolla: Mbrojtja e mjedisit dhe e klimës, detyrë patriotike

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti sot paradite Konferencën vjetore të institucionit të Avokatit të Popullit “Të drejtat e brezave të ardhshëm dhe ndryshimet klimatike”.

Në fjalën e saj, Kryetarja Nikolla nënvizoi se kufizimi i ndryshimeve klimatike është një çështje për të gjithë shoqërinë, por në radhë të parë për brezat e rinj.

Nikolla u shpreh se “jam e qartë dhe e bindur që këto nuk mjaftojnë. Shqipëria ka nevojë për një ndërgjegjësim të të gjithëve, Qeverisë, institucioneve shtetërore, sipërmarrjes private, shoqërisë civile, qeverisjes vendore, qytetarëve dhe sidomos rinisë, për të krijuar një fron unik për mbrojtjen e mjedisit dhe shmangien e ndikimit të zhvillimit industrial në ndryshimet e klimës”.

Ajo nënvizoi se mbrojtja e mjedisit është një çështje tipike jopolitike, por mbipartiake, pse jo edhe patriotike.

“Patriot i mirë është ai që kujdesin për natyrën dhe mbrojtjen e mjedisit e bën pjesë të dashurisë për atdheun dhe kombin e vet”, tha Nikolla.

Nikolla u shpreh se “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që zhvillimi ekonomik të ndjekë korsitë e një zhvillimi të qëndrueshëm, duke i kushtuar më shumë prioritet zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë blu. Shfrytëzimi racional e miqësor i pasuri natyrore, sidomos zhvillimi i industrisë së detit, duhet të jetë një përparësi e zhvillimit të Shqipërisë”.

“Të kontribuojmë të gjithë që dora e padukshme e ekonomisë së tregut të mos shndërrohet në një grusht të padukshëm që godet natyrën, mjedisin, klimën dhe, pa u kuptuar, edhe shëndetin dhe jetët tona dhe të brezave të ardhshëm”, -tha Nikolla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.