Ngre siparin në Tiranë edicioni i parë i festivalit kulturor Izrael-Shqipëri

Edicioni i parë i IzraelFest ka ngritur siparin të dielën në Tiranë, një festival kulture Izrael Shqipëri, përndryshe një platformë ku Historia, Arti, kultura dhe trashëgimia, e dy vendeve takohen. Ky edicion vjen si kremtim i 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike e njëherish, kremtimit të një miqësie edhe më të vjetër mes dy popujve.

“Një agjendë e pasur eventesh artistike dhe kulturore ku prezantohet trashëgimia kulturore dhe krijimtaria bashkëkohore e ekselencës izraelite dhe shqiptare. Artistë dhe personalitete të kulturës nga të dyja vendet, Europa, SHBA dhe nga skena ndërkombëtare e artit, do të prezantohen në një program që do të gjallërojë kryeqytetin, nga muzika instrumentale, klasike dhe ajo bashkëkohore, te foklori e muzika Klezmer e mirënjohur botërisht”, tha drejtoresha artistike e festivalit, Almira Emiri.

Çelja u bë me muzikën e traditës hebreje ‘Klezmer’ dhe shqiptare, si edhe me përshëndetjet e Rabinit Yisroel Finman, drejtor i Rabinatit Shqiptar. Pos muzikës së dy vendeve, festivali sjell takime me fokus historinë e dëshmitë e të mbijetuarve të holokaustit në 6 ditë festival.

Ndonëse ka një perceptim se marrëdhëniet mes hebrenjve dhe shqiptarëve i takojnë Luftës së Dytë Botërore ku u shpëtuan qindra hebrenj, festivali e vuri theksin te raportet më të hershme që dëshmohen përmes sinagogës e shekullit të V në Sarandë dhe ngulimet e hebrenjve në Gjirokastër e Elbasan në mesjetë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.