Në Ankara festohet 109-vjetori i Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë

Me rastin e 109-vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë, me mirëpritjen e Ambasadorit të Shqipërisë në Ankara, Z. Kastriot Robo dhe bashkëshortes së tij, në një nga ambientet më prestigjioze të kryeqytetit të Turqisë, u mbajt një pritje madhështore me një numër të madh pjesëmarrësish.

Në këtë pritje, krahas Ministrit të Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralarmate ,Yasar Guler dhe stafit të lartë të ushtrisë turke, Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë diplomatikë në Ankara, morën pjesë edhe përfaqësuesit e shumë shoqatave shqiptare në qytete të ndryshme të Turqisë, komuniteti shqiptar i ardhur nga të katërta anët e Turqisë si dhe shumë studentë shqiptarë që kryejnë arsimin e lartë në këtë vend.

Në fjalën hapëse, Ambasadori Robo, duke përshëndetur gjithë të pranishmit, shprehu kënaqësinë për zhvillimin përsëri të një evenimenti kaq të madh pas një sërë ngjarjesh të hidhura të viteve të fundit si tërmeti në Shqipëri dhe pandemia e koronavirusit.

Edhe ministri i Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus në fjalën e tij uroi festën e Shqipërisë dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. Ai vuri në dukje lidhjet e ngushta historike dhe kulturore dhe nënvizoi se do të bëjnë ç’të jetë e mundur për të çuar edhe më përpara këto marrëdhënie.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.