Ndahet nga jeta mjeku i njohur

Mjeku i njohur i Spitalit të Traumës, Luan Nikollari, është ndarë nga jeta.

Lajmin e ka bërë me dije familja e të ndjerit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Ju bëjmë me dije se babai ynë, Luan Nikollari, ndërroi jetë. Jemi te ‘Shtëpia e Pritjes Univers’, te rruga ‘Bardhyl”, thuhet në njoftimin e familjes.

Nikollari është një emër i njohur i mjekësisë shqiptare, pasi në vite të ndryshme ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, si drejtor i Institutit të Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU) në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), Tiranë, në vitin 2012.

Gjithashtu, përgjatë viteve 2000-2006 ai ka qenë kreu i Drejtorisë së Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe shef i Departamentit të Epidemiologjisë në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), përgjatë viteve 1999-2000.

Ndarja nga jeta e mjekut të njohur ka lënë të tronditur edhe mikun e tij, rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

“Lamtumirë mik! E rëndë lamtumira jote! Njeri para së gjithash, mjek i palodhur, drejtues i denjë e i papërlyer, babai më i mirë qe familja mund të ketë, i dashuruar pas SUT, i pakursyer për shokët, miqtë dhe pacientët! Të qoftë e blertë lendina, Luan Nikollari! Kishe akoma shumë për të dhënë, por të deshte qielli Kolonel!”, shkruan Gjata në mesazhin e tij të ngushëllimit në “Facebook”.

Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit edhe nga të tjerë mjek e miq të Nikollarit, ndërkohë që ndarja e tij nga jeta ka qenë e papritur, pasi nuk raportohet që të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje e rëndë.

“Çfarë dhimbje. Mik i shkëlqyer, fisnik dhe zemërbardhë. U prehtë në paqe Luani i mirë”, shkruan në Facebook ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Edhe mjeku i njohur, profesor Tritan Kalo ka mbetur i prekur nga humbja e kolegut të tij.

“Një djalë, baba e koleg i përsosur. Të qoftë i lehtë dheu Dr. Luani!!!”, shprehet ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.