Moska nuk ‘lëkundet’ nga sanksionet

Rusia parashikon që të ardhurat nga eksporti i energjisë t’i rriten këtë vit për gati 100 miliardë dollarë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar dokumentet qeveritare.

Ministria ruse e Ekonomisë pret që të ardhurat nga eksporti i energjisë të arrijnë në 338 miliardë dollarë më 2022, rritje për më shumë se një të tretën e shumës së vitit të kaluar.

Rritja në të ardhurat, nëse materializohet, do t’i ndihmojë ekonomisë ruse teksa përballet me sanksione të ashpra të Perëndimit, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë.

Një rritje e tillë do t’i mundësojë presidentit rus, Vladimir Putin rritjen e pagave dhe pensioneve, në kohën kur ekonomia ruse ka rënë në recesion dhe inflacioni është duke ulur standardin e jetesës.

Eksportet e energjisë përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave në buxhetin federal të Rusisë. Ministria ruse e Ekonomisë parashikon që eksportet e gazit natyror më shumë se do të dyfishohen këtë vit – 730 dollarë për 1.000 metra kub.

Sipas dokumenteve që ka parë “Reuters”, rënie graduale pritet të regjistrohet në vitin 2025. Eksportet ruse të gazit natyror do të zvogëlohen për gati 15 për qind këtë vit, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Moskës për luftën në Ukrainë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se synon t’i japë fund varësisë në importet e gazit natyror rus, si shenjë proteste ndaj vendimit të Rusisë për luftë në Ukrainë.

Mirëpo ekonomia ruse po ia del më mirë sesa është pritur, pas vënies së sanksioneve. Ministria ruse e Ekonomisë pati paralajmëruar më herët se ekonomia mund të pësonte tkurrje në deri 12 për qind, ndër shifrat më të larta në tri dekadat e fundit.

Por, autoritetet ruse tani presin që ekonomia e shtetit të tkurret për vetëm 4.2 për qind këtë vit. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.