Mjeku Kalo nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Kuçovës

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka marrë titullin “Qytetar Nderi” i Kuçovës.

Në një ceremoni modeste dhe nën respektimin e masave anti-Covid, Bashkia e Kuçovës ka nderuar sot me titullin e lartë “Qytetar Nderi” mjekun Kalo.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë së Kuçovës, deputetë të qarkut, përfaqësues të Këshillit Lokal të Ambasadorëve të Paqes për Kuçovën (që sollën në bashki propozimin për këtë titull) dhe familjarë të mjekut Kalo.

Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari vlerësoi punën e palodhur dhe përkushtimin e Kalos si mjek në betejën kundër Covid-19.

Ai i dorëzoi më pas titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Personalitet erudit dhe i shquar i mjekësisë mbarëshqiptare, me rol dhe kontribut të paçmuar në përballjen me pandeminë botërore shkaktuar nga Covid- 19, ku me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm vazhdon të punojë, duke shpëtuar edhe jetë kuçovarësh, mes shumë jetëve të tjera nga e gjithë Shqipëria”.

Mes emocionesh, mjeku Kalo ka falenderuar Bashkinë e Kuçovës për vlerësimin, duke deklaruar se, tashmë ai ndihet kuçovar si gjithë kuçovarët e tjerë.

“Është kënaqësi të vlerësohet puna e mjekëve, sepse përmes meje u bëhet një vlerësim po aq i madh edhe të gjithë mjekëve dhe kujtdo që kontribuon për shëndetin e njerëzve”, ka thënë ai.

Ky është titulli i tretë “Qytetar Nderi” që i jepet Kalos, pas titujve të njëjtë tē marrë në Gjirokastër dhe Elbasan.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.