Meta: Babëzia ka zhdukur monumente kulturore dhe historike

Presidenti Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Bashkësia Dibrane”, “Tirona Intelectum” si përfaqësues të familjeve autoktone tiranase, 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Sipas kreut të shtetit, për shkak të virusit të babëzisë, Tiranës sot i mungojnë shumë monumente kulturore dhe historike, që janë zëvendësuar me kulla.

“Fatkeqësisht, për shkak të virusit të babëzisë, Tiranës këtë vit i mungojnë shumë prej monumenteve dhe vlerave të saj më të çmuara historike, tradicionale dhe kulturore.

Nuk kemi sot mes nesh, godinën e Teatrit Kombëtar, Këndin e Lojërave për fëmijë tek ‘Rruga e Elbasanit’, shumë shtëpi monumente kulture, godina karakteristike dhe tradicionale, që ishin kudo në kryeqytet. Ndërkohë, që edhe Sahati po ‘zhduket’ dalëngadalë.

Vendin e tyre po e zënë kullat, që po mbijnë pareshtur, si kërpudhat pas shiut.

Shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë sonë kulturore e historike dhe dëmtimi i pariparueshëm i shumë prej tyre, padyshim është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës.

Garantoj tironasit e dashur dhe të gjithë shqiptarët, se së bashku me ta do të bëjmë përpjekje më të mëdha, për të mbrojtur trashëgiminë e vyer, që na ka mbetur dhe për të cilën janë sakrifikuar të parët tanë në breza, për t’i thënë: Ndal shëmtisë së kullave dhe barbarisë ndaj identitetit tonë kombëtar, që po ndodh në zemër të Shqipërisë!”, u shpreh Meta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.