Mbyllet dita e pestë e protestës/ Mbi dy orë marshim dhe tubim në kryeqytet

Sot ishte dita e 5-të e protestës për vrasjen e të riut, Klodian Rasha. Kësaj radhe protestuesit vendosën të bëjnë një marshim protestë nëpër kryeqytet me pankarta, thirrje e gjeste simbolike.

Marshimi filloi që nga sheshi ”Skënderbej”, aty ku nisi grumbullimi i të rinjve dhe qëndruan rreth 45 minuta nën praninë e forcave të shtuara të policisë.

Më pas, protestuesit u zhvendosën për tek Kryeministria, ku qëndruan shumë pak, e më pas u nisën për tek Drejtoria e Policisë. Aty Forcat Speciale kishin bërë bllokadë, duke penguar rrugën e protestuesve për në destinacionin e caktuar.

Protestuesit filluan të qëllonin me gurë, dhe në atë moment filloi tensioni i parë i protestës që deri në ato momente ishte paqësore, Forcat Speciale dhe autoboti u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Më tej turma u nda në dy pjesë, njëra për në ish-Bllok e tjetra për në rrugën ”Myslym Shyri”. Pas 2 orësh u ribashkuan aty ku e nisën, tek sheshi ”Skënderbej”. Kur u duk se gjithçka do të mbyllej, disa protestuesë tentuan të heqin gardhin metalik që rrethonte pemën e Vitit të Ri, dhe policia u përgjigj sërish me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Në këtë marshim-protestë pati më pak ngjarje të dhunshme se 4 ditët e mëparshme, teksa nuk munguan sërish shoqërimet, saktësisht tek Drejtoria e Policisë Tiranë dhe në sheshin ”Skënderbej”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.