Mbi 20 mijë të infektuar në shtator/ Shifra rekord pas shkurtit 2021

Vetëm në 24 ditë, muaji shtator ka regjistruar 20,064 të infektuar me koronavirus.

Edhe pse ka dhe 6 ditë deri në përfundim të tij, shtatori rezulton të jetë muaji i dytë me numrin më të lartë të rasteve që prej fillimit të pandemisë.

Rekordin e infektimeve e mban shkurti i këtij viti me 29,040 të infektuar brenda 29 ditëve. Kjo periudhë përkon dhe me kulmin e valës së dytë të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, ku në qarkullim ishte varianti britanik i koronavirusit.

Shifrat e të infektuarve erdhën në rritje në mënyrë graduale në gusht të këtij viti menjëherë pas fillimit të qarkullimit të varianit ‘Delta’ ndërsa shtatori solli rritjen drastike.

Rekordi i infektimeve ditore është regjistruar në 8 shtator me 1079 të infektuar në të gjithë vendin.

Krahas infektimeve, në rritje erdhën edhe fatalitetet. 124 pacientë që po trajtoheshin në Spitalet Covid kanë ndërruar jetë gjatë këtyre 24 ditëve. Shifër kjo disa herë më e lartë se ajo e gushtit ku numërohen vetëm 44 viktima.

Pozitiv mbetet fakti që prej 4 ditësh totali i të infektuarve po bie, nga 12,745 që ishin në 21 shtator sot kemi 12,157 të infektuar, prej të cilëve 212 janë të shtruar në spital, pjesa tjetër po trajtohen në banesë.

Tirana mban peshën më të madhe të rasteve të të infektuarve me Covid, pasuar nga Durrësi, Fieri dhe Shkodra.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.