Riatdhesohen nga Siria 5 gra dhe 14 fëmijë. Rama: Operacioni vazhdon (Video dhe emrat)

Kanë mbërritur në Shqipëri 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë nga kampi i ferrit Al Hawl, në Siri.

Kryeministri Edi Rama, i cili shoqëroi të riatdhesuarit, ka dalë në një konferencë për shtyp nga Rinas, mëngjesin e së dielës, ku dha detaje për këtë operacion.

Kreu i qeverisë e cilësoi operacionin e riatdhesimit të këtyre shqiptarëve si “të jashtëzakonshëm” dhe premtoi se do të ketë dhe një të ngjashëm më vonë, ku pritet të kthehet dhe një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh të tjerë.

“Përmbyllëm një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkatdhetarë nga kampet e ferrit në Siri.

5 gra dhe 14 fëmijë i shkëputëm pas një përpjekje të gjatë, pas një operacioni me vështirësi dhe rreziqe dhe falë ndihmës nga konsulli ynë i nderit në Liban dhe gjenerali Abbass, të cilin e kam falenderuar dhe më parë.

Është një ngjarje pozitive dhe ne nuk do të ndalemi. Ka dhe një operacion për të zhvilluar, por nuk e dimë ende sa është numri i shqiptarëve për t’u kthyer. Por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin. Duke menduar se më shumë se gjysma është marrë dhe është në vendin tonë.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe struktura e Antiterrorrit në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Ky është një zotim që do e realizojmë deri në fund”, tha Rama.

Teksa u përgjigjej pyetjeve së gazetarëve, Rama tha se personat e riatdhesuar do të qëndrojnë për disa kohë në një strukturë të posaçme në Durrës, për t’u kthyer më pas tek familjet e tyre.

Ai shtoi se janë identifikuar dy shqiptarë në Siri që refuzojnë të kthehen, por sipas burimeve inteligjente, ata mbahen peng dhe kanë frikë për jetën e tyre.

“Ata janë marrë nga strukturat e posaçme dhe do t’i drejtohen një strukture të përgatitur për ta në Durrës. Do të bëhen të gjitha kontrollet mjekësore dhe psikologjike e më pas, sipas rastit, do të çohen në shtëpi. Bëhet fjalë dhe për fëmijë dhe kjo e bën më të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë. Nga pikëpamja shoqërore kjo kërkon kohën e vetë.

Deri tani janë shfaqur raste sporadike. 2 raste që ne njohim refuzojnë të kthehen. Por nga informacionet e marra në mënyrë inteligjente janë pengje. Janë persona që kanë frikë dhe mendojnë që gjatë momentit të shkëputjes mund t’i marrin jetën”, përfundoi Rama

Kujtojmë se dje, në operacionin e riatdhesimit të 19 shqiptarëve ishin të pranishëm kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilët u takuan me gjeneralin libanez Abass Ibrahim.

Ky i fundit ka luajtur një rol kyç në përpjekjet e riatdhesimit, së bashku me shërbimet e inteligjencës nga vende të tjera.

Kështu, sot në Rinas janë kthyer:

Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj; Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve;

Ruzhdije Balliu nga Librazhdi;

Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj;

Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.