Margariti: Në TKOB, ambiente të denja për artistët dhe publikun

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapet nesër në mbrëmje. Para mbrëmjes gala të inaugurimit të TKOB, ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se puna në këtë institucion është investim madhor.

Në një status të saj Margariti shkruan në Facebook se janë ambiente të denja për artistët. “Asgjë nuk është më si më parë, veç kujtimit të korifejve që nuk janë më e yjeve që do të mbushin skenën. Salla, skena, dhoma provash, veshjeje, grimi, biblioteka, arkivi… janë shplurosur dhe shndërruar në ambiente të denja për artistët e publikun.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, investimi më madhor i qeverisë shqiptare në kulturë, dëshmia e vullnetit për të ecur drejt së ardhmes. Si është dhe si ishte…”, shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti, që ka publikuar dhe foto të TKOB, ku inaugurimi do të jetë nesër në mbrëmje. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapet me një program të pasur artistik. Pas pesë vitesh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB” do të nisin eventet e inaugurimit.

Në skenë do të ngjiten dhe emra të mëdhenj të operistikës botërore si tenori Placido Domingo apo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho. Grand gala do të jetë më datë 15 dhe 16 shtator. Dy kolosëve të skenës operistike botërore, Ermonela Jaho e Placido Domingo të cilët do të jenë në grand gala mbrëmjen e së mërkurës kanë përshëndetur me mesazhet e tyre. Koncerti celebrues ka pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operës, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj. Programi sipas institucionit është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit, të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.