Dështon kapja e Florenc Çapjas, ‘zhduket’ i ati

Një aksion për kapjen e Florenc Çapjas ka rezultuar me zbulimin në një servis të një makine të vjedhur, dy targave gjithashtu të vjedhura, municione luftarake dhe një kapele policie.

Sipas policisë, aksioni është zhvilluar në lagjen “Emin Matraxhiu”, në servisin në pronësi të shtetasit Fejzullah Çapja, 64 vjeç, me qëllim kapjen e personit të kërkuar Florenc Çapja (djali i 64-vjeçarit).

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e babait të Çapjas, u gjetën një automjet tip “Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më 18 prill 2019.

Në vijim të kontrollit, në brendësi të automjetit u gjetën 2 targa, që gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më 29 qershor 2020, fishekë luftarakë dhe 1 aparat celular.

Ndërsa në ambientet e servisit, policia gjeti një kapele me stemën e Policisë, dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të servisit, shtetasit Fejzullah Çapja, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e 64-vjeçarit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.