“Lumë” gjobash ndaj drejtuesve të automjeteve, 3.1 mln masa në 8 muaj

Në Shqipëri jetojnë pak më shumë se 2.8 milionë banorë. Në rrugët e vendit qarkullojnë rreth 700 mijë automjete. Vetëm në 8 muajt e parë të vitit, Policia Rrugore vendosi mbi 3.1 milionë masa administrative nga më pak se 300 mijë që ishin në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

Gjithë ky “lumë gjobash” duket se reflektoi në uljen e numrit të aksidenteve gjatë muajit shtator. Sipas Institutit të Statistikave, muajin e shkuar u shënuan 105 aksidente rrugore nga 138 aksidente në po të njëjtin muaj të 2020-ës.

Megjithatë shumë shqiptarë vijojnë të humbin jetën në rrugët e vendit. 151 në 9 muajt e parë të vitit nga 138 në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. Megjithatë në harkun e muajve janar-shtator u shënuan 6 vdekje më pak se në po të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Duke e marrë në rrafshin e 9 muajve, aksidentet u rritën me 9.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, megjithatë mbetën poshtë niveleve të vitit 2019.

Teksa shifrat e aksidenteve dhe vdekjeve si pasojë e tyre luhaten, periudha e verës vijon të mbetet më problematikja.

Sipas INSTAT, në 9 muajt e parë të vitit, numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, me mbi 33 për qind të rasteve, ndërsa Tirana, Lezha, Fieri, Durrësi dhe Vlora mbeten qarqet më problematike.(A2)

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.