Lleshaj zbulon takimin që ka bërë menjëherë pasi dha dorëheqjen nga posti i ministrit
Sandër Lleshaj, i cili u dorëhiq dy ditë më parë nga posti i ministrit të Brendshëm, ka folur për thirrjen e familjes Rasha për mospërdorimin e dhunës në protestë.
Lleshaj tha në “Report Tv” se kjo familje meriton respektin e të gjithë shqiptarëve, ndërsa u shpreh se ka qenë te kjo familje pasi ka dhënë dorëheqjen.
“Familja Rasha po demonstron një dinjitet të jashtëzakonshëm, një dinjitet të pritshëm për një familje shqiptare, malësore. Gjej rastin edhe një herë që të shpreh edhe një herë ngushëllimet. Kodi i vdekjes ndër shqiptarë është i shenjtë, shqiptarët kanë arritur ta ruajnë edhe sot traditën, ndryshe nga çdo pjesë të jetës sonë. Shenjtëria dhe solemniteti i mortit shqiptar nuk është prekur. Nga ana tjetër më vjen shumë keq që u tentua nga segmente të caktuara për të shpërdorur dhe përdhosur një mort për qëllime të caktuara politike. Edhe këtu dua ta falënderoj familjen Rasha e cila nuk u përdor por qëndroi me dinjitet.
Familja Rasha meriton të gjithë simpatinë e shqiptarëve sot. Unë kam qenë në një vizitë, por nuk preferoj që këto vizita t’i bëj publike. E kam bërë vizitën pasi dhashë dorëheqjen. Jo se kisha merak për ta vajtur se në veri shkohet në këto raste edhe te hasmi. Doja të shkoja thjesht si Sandër Lleshaj. E kam konstatuar me nder që ata e meritojnë të gjithë respektin e shqiptarëve”, tha Lleshaj.
Sorry, the comment form is closed at this time.