Ambasadori italian: Lidhjet e “Ndrangheta”-s në Shqipëri do të hetohen
Dyshimet se një grup i mafies italiane të “Ndrangheta”-s ka pastruar para përmes lidhjeve me politikanë shqiptarë, pritet të hetohen edhe në Shqipëri.
Këtë e bëri me dije ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci, gjatë një interviste në televizionin “Euronews Albania”.
Bucci tha se prokuroritë e të dyja vendeve kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe se çështja do të shqyrtohet edhe në vendin tonë. Sipas tij, në media nuk janë publikuar të gjitha përgjimet.
Pastrimi i parave dhe korrupsioni u konsideruan nga ambasadori italian si “prirje korruptive që dihej që ekzistonin” që para publikimit të përgjimeve rreth grupit të Luigi Mancuso-s së “Ndrangheta”-s, grup që në Itali po hetohet nga prokurori i Catanzaros, Nicola Gratteri.
Bucci e përshkroi Gratterin si “prokuror të rëndësishëm”, “serioz” dhe “shumë i aftë”.
Ambasadori u shpreh se “korrupsioni duhet luftuar, pavarësisht nga vjen dhe kush është i përfshirë”, duke nënkuptuar se në këtë pikë nuk ka dallim nëse të përfshirë janë edhe politikanë.
I pyetur nëse për këtë çështje ka bashkëpunim mes Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Tiranë me prokurorinë Antimafia të Italisë, ambasadori Bucci kujtoi fillimisht se marrëveshja e parë e bashkëpunimit ndërkombëtar që ka firmosur SPAK, pas krijimit, ka qenë pikërisht me prokurorinë Antimafia më 7 shkurt 2020.
Bucci shtoi gjithashtu se ka një marrëdhënie të ngushtë mes prokurorit kombëtar Federico Cafiero De Raho dhe shefit të SPAK, Arben Kraja. Thënë këtë, ai vijoi duke u shprehur se ka pasur bashkëpunim të ngushtë dhe “së shpejti do të ketë zhvillime të rëndësishme”.
“Hetimi në Itali është në hapat e para. Janë dhënë masat e para të sigurimit personal, janë publikuar disa përgjime, sepse në Itali, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur një prokuror akuzon persona, jep masa sigurimi personal, duhet të zbulojë faktet në bazë të të cilave bëhen këto arrestime. Pra, janë bërë publike disa përgjime, por jo të gjitha. A do të ketë të tjera? Kjo do t’u takojë dy prokurorëve, sepse e marr me mend që do të ketë një vazhdimësi të hetimeve këtu dhe kjo është arsyeja për të cilën dy prokuroritë janë duke bashkëpunuar”, tha ambasadori italian.
Duke pranuar se “fatkeqësisht korrupsioni në Shqipëri ka rrënjë të thella”, ambasadori Bucci u zotua për përkrahje dhe bashkëpunim nga ana e Italisë në mënyrë që “shqiptarët ta kuptojnë se kjo duhet të luftohet”.
Sorry, the comment form is closed at this time.