Leli: Tirana ka trafik gjithë vitin me trafik, Vlora vetëm në verë dhe ofron parkim falas

Sapo vjen sezoni turistik, trafiku duket sikur zhvendoset nga Tirana në Vlorë.

Kronikat e lajmeve nuk mungojnë gjatë sezonit me këtë problematikë, por edhe vetë qytetartët që zgjedhin jugun për të pushuar e provojnë në kurriz.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, thotë se qyteti bregdetar vuan vetëm gjatë sezonit, ndërsa Tirana problemin me trafikun e ka 365 ditë të vitit.

Nuk dihet nëse me këtë deklaratë ai kërkon të godasë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Ka një gjë tjetër që harrojmë. Parkimet në Vlorë janë falas. Në Vlorë askush nuk paguan për parkim. Bulevardi “Ismail Qemali” është falas, Lungomare në ato vende që janë parkime publike janë pa pagesë, gjatë gjithë lagjeve të qytetit nuk ka pagesë. Është një thirrje që kemi një qytet ku shkojmë dhe bëjmë turizëm dhe nuk paguajmë për parkimin e makinës.

Është një gjë e mirë që duhet t’ua tregojmë qytetarëve që shpeshherë e harrojnë. Jemi akoma në një projekt zhvillimor të hapësirave të parkimit në të gjithë territorin, sidomos në zonën e Lungomares. Jemi duke përmirësuar infrastrukturën që të kemi akoma më tepër vende parkimi.

Një projekt i ri që nuk arritëm dot ta përfundojmë brenda këtij sezoni për arsye fondesh do të fillojë së shpejti në zonën e Shkollës së Marinës, ku do të shtohet një numër i konsiderueshëm vendesh parkimi.

Jemi duke punuar të gjithë për të bërë më të mirën në mënyrë që Vlora të ketë një paketë turistike cilësore.

By-passi ka dhënë impaktin pozitiv për zhvendosjen e një pjesë të trafikut që shkojnë drejt jugut në zonën e by-passit duke lënë pak më të lirë qytetin, zonën e Lungomares dhe më të destinuar për ata që jetojnë dhe pushojnë në Vlorë dhe jo për ata që janë duke kaluar në drejtim të jugut”, tha Leli.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.