Manastirliu: Testimet e shpejta nisin nga dita e hënë

Testimet e shpejta në Shqipëri do të nisin nga dita e hënë dhe qeveria ka siguruar 100 mijë teste, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo shtoi se është rritur dhe kapaciteti spitalor në përballimin e pandemisë.

“Sa i përket testit të shpejtë të antigenit kemi siguruar 100 mijë testet e shpejta në kontratën e parë, teste të njohura nga OBSH, që janë të disponueshme në vendin tonë gati për t’u vendosur në funksion të testimit dhe hetimit epidemiologjik.

Testimi do nisë nga dita e hënë në Tiranë fillimisht dhe do jenë epidemiologët që do e kryejnë në vatrat e evidentuara që do vlerësohen prej tyre e që kanë rëndësi kyçe, bazuar në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik.

Nga dita e hënë, fillon testi i shpejtë i antigenit që do jetë i disponueshëm në gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor.

Këto janë strukturat që aktualisht kryejnë testimin e PCR që bëhet dhe sot”.

Sipas ministres, prej 20 dhjetorit testimi i shpejte i antigenit do shtrihet në disa poliklinika e disa qendra shëndetësore në Tiranë e më pas dhe në disa struktura të kujdesit shëndetësor në gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë në komunikimin periodik për masat e marra në vend tha se nuk do kemi muaj të lehtë në vijim në këtë përballje me epideminë.

Sipas ministres, pikat e testimit do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojë një numër të caktuar banorë sipas një ndarje që është bërë në funksion të mbulimit të nevojave.

“Prej 20 dhjetorit testet e shpejta do ti vihen në dispozicion spitaleve rajonale për rastet urgjente.

Nga e hëna deri në datë 20 dhjetor është përcaktuar të lihet në funksion të trajnimit të stafeve tona.

Testi i shpejtë i antigenit është vendosur të përfshihet në funksion të testimit, rritjes së kapacitetit, ndërprerjen e zinxhirit dhe duke garantuar sigurinë e këtij testimit të shpejtë”, tha ajo

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.