Kushtetuesja/ A do shkarkohet Presidenti Meta më 18 janar?

Në 9 qershor të vitit 2021, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Ligjvënësit votuan me 140 vota pro shkarkimit të Kreut të Shtetit, i pari në historinë e vendit që shkarkohet nga institucioni që përfaqëson sovranitetin e popullit.

Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin. Nga të pranishmit, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.

Nisma e socialistëve për shkarkimin e Metës u finalizua herën e dytë

Kryeministri i vendit Edi Rama, në fjalën e mbajtur më Kuvend , seancën plenare të 9 qershorit e quajti Ilir Metën  poshtërues të Kushtetetutës duke listuar edhe argumentet pse duhej shkarkuar presidenti. Fjala e Ramës zgjati vetëm 2 minuta, më e shkurtra mbajtur nënjëherë në Kuvend prej tij., shkruan StraTirana.com

“Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, në mënyrë të përsëritur, për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore“- tha Rama

Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Ndërsa hera e dytë, nisi pas luftës që Meta hapi ndaj SHBA-së dhe ambasadores Yuri Kim, si edhe daljes së tij totalisht nga roli i kreut të shtetit dhe përfshirjes së tij në fushatë në shkelje të Kushtetutës, asaj që Meta përbetohet se po e mbron me gjak dhe dinjitet.

Komisioni i Ligjeve argumentoi se “Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës. Deklaratat e tij kanë cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Por si nisi beteja e ashpër politike Presidencë-Qeveri?

Gjithçka nisi me caktimin e datës për zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në Shqipëri të cilat u zhvilluan më 30 qershor 2019 sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor të po atij viti.

Por mazhoranca vendosi të shkojë në zgjedhje edhe pas bojkotit të opozitës duke fituar 60 bashki të vendit. Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u bënë çështja më e dabatuar jo vetëm në sferën politike, por për mbarë opinionin. Pas fitores së kampit të majtë, drejtuar nga PS, çështja kaloi për ‘skanim’ në Gjykatën Kushtetuese.

Më 4 nëntor 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkonte shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, fitorja e parë për mazhorancën.

Menjëherë pas vendimit të GJK, reagoi duke theksuar se gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues.

Njësoj si me zgjedhjet lokale, edhe çështja për shkarkimin e Ilir Metës i përket Gjykatës Kushtetuese, e cila do të japë verdiktin final për shkarkimin ose jo të Presidentit.Seanca do të zhvillohet më 18 Janar. Në rast se “Kushtetuesja” vendos që ta shkarkojë Metën, atëherë Presidentin do ta zëvendësojë kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Në rast të kundërt, në prill Kuvendi do të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi Metës i përfundon mandate në korrik të këtij viti.

StraTirana.com

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.