Kurse profesionale në Institutin e Nxënësve që Nuk Dëgjojnë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi së bashku me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe koordinatoren e Zyrës së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, përuruan mjediset e reja për kurse profesionale në Institutin e Nxënësve që Nuk Dëgjojnë.

Në këto mjedise profesionale këta nxënës do të kenë mundësi të mësojnë artin e parukerisë dhe berberit.

Gjatë ceremonisë ministrja Kushi u shpreh se këtyre fëmijëve u jepet një mundësi e mirë për të marrë një profesion, i cili do t’i ndihmojë ata në të ardhmen që të jenë të pavarur dhe të jetojnë si të gjithë bashkëmoshatarët.

Ajo shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e qeverisë turke dhe Agjencisë TIKA për mbështetjen në fushën e arsimit në vendin tonë. Kushi shtoi se mbështetja që jepet në fushën e arsimit është më e rëndësishmja nga të gjitha.

Ambasadori Yörük tha se Turqia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë vëllezërve shqiptarë.

“Këtë e bëjmë gjithmonë nga dëshira e madhe që na vjen nga zemra”, u shpreh ambasadori.

Ai e quajti vlerën e një profesioni për këta fëmijë një “byzylyk floriri” në dorën e tyre që ndihmon për të sjellë të ardhura familjes në të ardhmen.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.