Propozimi francez/ Dita e pestë e protestave në Shkup

Pankarta e vendosur nga protestuesit para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, me paralajmërimin “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, është djegur nga vetë ata.

Në ditën e pestë të protestës në Shkup, mijëra qytetarë janë mbledhur të mërkurën para godinës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të protestuar kundër propozimit francez, përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes.

Protestuesit nën moton “Ultimatum. Jo, faleminderit”, kanë kërkuar që qeveria të hedhë poshtë propozimin francez. Ata brohorisnin “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.

Protestuesit, të cilët janë nisur nga objekti i ekzekutivit, kanë kaluar përmes sheshit “Skënderbe” dhe janë ndalur para Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kanë qëlluar me sende të forta. Aty kanë brohoritur me thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve.

Në gjithë Shkupin vërehet prani e shtuar e forcave speciale, veçanërisht para institucioneve shtetërore.

Të gjitha hyrje-daljet e rrugëve para Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit janë bllokuar një orë para fillimit të protestave.

Prania e shtuar e forcave policore vjen pasi të martën protestat u përshkallëzuan në dhunë dhe si rrjedhojë 47 policë mbetën të lënduar, dy nga të cilët në gjendje të rëndë.

Deri tani janë ndaluar 11 persona, dy prej të cilëve janë minorenë.

Policia maqedonase ka bërë të ditur se po vazhdon identifikimi i personave të tjerë, të cilët kanë qenë të përfshirë në sulmin ndaj institucioneve të shtetit dhe policisë.

Skenat e dhunshme i kanë dënuar Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Partitë maqedonase në opozitë, VMRO DOMNE dhe Majta, janë kundër propozimit francez, pasi siç thonë, nëse i njëjti nuk pëson ndryshime rrezikon gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe të gjitha partitë e tjera shqiptare në vend: Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Alenca për Shqiptarët, mbrojnë qëndrimin se ky propozim garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe zhbllokon procesin e integrimeve. /REL

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.