Kryeprokurorja e Ukrainës: Po hetojmë 14 mijë raste krimesh lufte

Kryeprokurorja e Ukrainës Iryna Venediktova ka bërë me dije se organi hetues vendas po heton pothuajse 14.000 raste të krimeve të dyshuara të luftës nga forcat ruse.

Duke folur në Londër në udhëtimin e saj të parë jashtë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, Iryna Venediktova thotë se ka rreth 100 – 200 raste të reja çdo ditë të raportuara.

Ajo ka takuar Prokuroren e Përgjithshme të Britanisë, Suella Braverman, dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë më shumë Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë e tjera perëndimore për të mbështetur procesin e hetimit.

“Sot kemi afër 14,000 raste, vetëm për krime lufte, dhe afër 6,000 raste të ndërlidhura. Kjo do të thotë se ne kemi një numër të madh precedentësh dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më shumë: janë 100 – 200 raste shtesë, varet nga dita”, është shprehur ajo.

Venediktova thotë se krimi më i zakonshëm i supozuar i luftës është bombardimi i ndërtesave civile, veçanërisht spitaleve dhe shkollave. Në total, ajo thotë se më shumë se 1,000 ndërtesa mjekësore dhe arsimore janë shkatërruar.

Ajo thotë gjithashtu se civilët po vriten, dhe ka plaçkitje dhe përdhunime.

Venediktova gjithashtu zbulon se ajo madje ka filluar të hetojë akuzat për gjenocid.

“Unë jam absolutisht dakord që ne në Ukrainë kemi gjenocid. Pse? Sepse ata, dua të them, komandantët e lartë ushtarakë rusë erdhën në Ukrainë, për të shkatërruar shtetin ukrainas, për të vrarë ukrainasit, dhe ata duan që kjo tokë të jetë pjesë e Federatës Ruse”, tha ajo teksa shtoi se do të ishte e vështirë të hetohej gjenocidi në territorin e kontrolluar nga Rusia.

“Autoritetet ligjore të Ukrainës duhet të marrin drejtimin në ndjekjen penale të krimeve të luftës sepse vetëm ne e kuptojmë tokën tonë, popullin tonë, tokën tonë. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë duhet të luajë një rol në ndjekjen penale të liderëve të lartë rusë për pushtimin, madje edhe Vladimir Putin. Ne të gjithë e kuptojmë se ky është një peshk i madh, edhe për drejtësinë ndërkombëtare”, thotë Venediktova.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.