Kriza e energjisë/ Eksperti: Shqipëria duhet të hyjë në bursë

Eksperti i energjetikës, Lorenc Gordani, i ftuar në “Radarin Informativ”, tha se Shqipëria duhet të dalë në tregun e bursave sa i përket energjisë elektrike. Kjo, sipas tij, do t’i mundësonte fitime të vlefshme.

Gordani është shprehur se KESH duhet të maksimalizojë prodhimin e energjisë dhe kjo do t’i mundësojë të shesë në bursa, duke marrë një fitim maksimal.

Ndërkohë OSHEE, sipas eskpertit, mund të sigurojë kontrata afatgjata, por kjo deri tani është penguar për shkak të aspekteve ligjore.

“Duhet të lëmë të lirë KESH-in nga detyrimi dhe të maksimalizojë prodhimin e vet, ta shesë në bursa dhe të marrë maksimumin. Ne prodhojmë 70%. KESH duhet të kishte përfituar nga këto çmime të larta.

OSHEE mund ta sigurojë me kontratat afatgjata. Do ishin siguruar 40 euro apo më lirë. Arsyet pse nuk bëhet lidhen me aspekte ligjore. Ata blejnë nëpërmjet tregtimit kompanive tregtare dhe rritet kosto 10% dhe nuk bëhemi të aftë për bursat. Janë disa hapa që ne i kemi ndërmarrë, por nuk i kemi plotësuar. Jemi vonë. Duhet të merreshin më parë dhe na kanë rritur kostot”, tha Gordani.

Eksperti shtoi se Shqipëria po sheh mundësinë për të zgjeruar linjat energjitike, konkretisht me Maqedoninë, Greqinë dhe Serbinë: “Në BE po diskutohen masa të përbashkëta dhe energjia ka një specifikë të shkëputur nga politika. Linjat duhet të zgjeroheshin. Ne kemi në ndërtim me Maqedoninë. Kemi plan me Greqinë apo me Serbinë. Kapacitetet ekzistojnë”.

Sipas ekspertit, ky vit ka qenë shumë i mirë sa u përket reshjeve të shiut, por “në situatën e krizës, sado e vogël të jetë blerja nga jashtë, çmimi është shtrenjtuar maksimalisht dhe në këtë mënyrë do ndikojë, pavarësisht sasisë”.

“Deri tani, në 6 muaj kemi pasur më shumë shi se në vitin 2020. Kemi arritur rekorde historike. Nuk është se s’kemi pasur shi. Ka qenë një vit shumë i mirë madje. Por sado pak të importojmë, çmimet janë rritur kaq shumë sa ndikon. Duhet të kishim qasje tjetër. Duhej ta shisnim energjinë, duke e pasur hidro. Ne e depozitojmë atë. Njëkohësisht, duke qenë hidro dhe e luhatshme nuk ecim dot me planifikim vjetor. Ne duhet të synojmë bursën. Nëse ekziston një vend që duhet ta kishte hapur bursën, është Shqipëria”, shpjegoi eksperti.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.