Kreu i shoqatës së turizmit: Duhet strategji e re për turizëm elitar

Kreu i shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi është i mendimit se Shqipëria duhet të ndjekë një strategji të re sa i përket turizmit, ku sipas tij duhet të kalojë nga turizmi masiv në atë elitar.

Ai tha se ndonëse në vendin tonë ka pasur një numër shumë të lartë të turistëve, si përfundim ata kanë shpenzuar më pak. Topuzi ka bërë një krahasim me Kosovën, ku thotë se nga një studim ka rezultuar se një turist i huaj në Shqipëri ka shpenzuar 380 dollarë e ndërsa në Prishtinë mbi 500 dollarë.

Topuzi këmbëngul se turizmi masiv, në një kohë kur vendi është përballë një pandemie nuk duhet të synohet.

“Ky turizëm masiv nuk është i rëndësishëm sot në kushtet e pandemisë, që duket se do të vazhdojë gjatë, duhet bërë një strategji, se rritja e numrit të turistëve nuk është një shifër e rëndësishme.

Ne marrim 6 milionë turistë, e ndërsa nga studimi rezulton se Shqipëria merr gati 380 dollarë për turist dhe Kosova mbi 500 dollarë, kjo është një nga kërkesat kryesore të industrisë, shtimi i shërbimeve, rritja e çmimeve dhe ulja e numrit të turistëve për të marrë turistë elitar. Një pjesë e turistëve elitar të Kosovës kanë shkuar në Mal të Zi”, tha Topuzi.

Një nga problematikat e një pushuesi që zgjedh Shqipërinë është mungesa e një shërbimi cilësor, por për Topuzin, ka pasur një përmirësim të ndjeshë. Ai thekson se shërbimi ka çaluar në të gjithë botën, kjo për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar që u theksua edhe më shumë prej pandemisë.

“Ka një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës në vend, Shqipëria shquhet për gastronominë cilësore, shërbimi ka filluar që të çalojë në të gjithë botën, problemi i njerëzve të kualifikuar po del gjithandej në çdo sektor, të huajt në përgjithësi kanë mbetur të kënaqur”, tha Topuzi.

Në krahasim me 2019, ka pasur një ulje të numrit të turistëve që kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ku ashtu si kurse dihet tashmë, Kosova ka mbajtur peshën kryesore.

“15-20% më pak turistë se në 2019. Janë disa faktorë që ndihmojnë vendin për të pasur turistë rajonal, 84% e turistëve vijnë me mjetet e tyre dhe kjo e bën në situatën e tanishme më të lehtë lëvizjen, 70% e mbajtën nga rajoni, 50% nga Kosova, por ka pasur turistë nga Serbia dhe kjo është një gjë pozitive, turistët rajonal po bëhen trend i rëndësishëm në Shqipëri dhe 15% janë ata që kanë ardhur me charter, por duhet thënë se i duhet bërë yzmeti turistëve rajonal”, përfundoi ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.