Korrupsioni në AMA/ SPAK dërgon në gjykim 7 persona
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për zyrtarët dhe pronarët e televizioneve kabllore në Elbasan, dhe ka dërguar dosjen për gjykim.
“Nga sa ka rezultuar nga hetimet, pronarët e televizioneve kabllorë në qytetin e Elbasanit ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në shkelje të të drejtave të autorit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK ka dërguar për gjykim ish-zyrtarët e AMA-s, Izmir Hajdari, Suela Musta dhe Andrea Nathanaili.
Gjithashtu janë dërguar për gjykim edhe Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi e Shkëlqim Sula, pronarë dhe punonjës të televizioneve kabllorë.
SPAK njoftoi se:
Në përfundim të fazës hetimore, janë marrë të pandehur dhe është kërkuar dërgimi i çështjes për gjykim për shtetasit:
1. Izmir Hajdari, punonjës pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
2. Suela Musta, me detyrë anëtare e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, e akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
3. Andrea Nathanaili, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
4. Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi dhe Shkëlqim Sula, pronarë/administratorë të operatorëve të transmetimit të televizioneve kabllorë, apo punonjës pranë këtyre operatorëve, të akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e të drejtave të autorit”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 25, 245/1 paragrafi 1 dhe 25, dhe 149 paragrafi 2 i Kodit Penal;
Ndërkohë, është kërkuar në gjykatë pushimi i procedimit penal në ngarkim të personit nën hetim Ervin Tahiri, pasi nuk u provuan akuzat e sipërcituara ndaj tij.
Sorry, the comment form is closed at this time.