Vendimet e KLP/ Jep dorëheqjen prokurorja e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës në prani të të gjithë anëtarëve dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë e të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi.

Me propozim të z. Sandër Beci dhe me miratimin e anëtarëve të tjerë, rendit të ditës iu shtua propozimi për shqyrtimin e rikthimit të prokurores Irma Balli në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Më 15 qershor 2021, KPA vendosi të prishë vendimin e KPK që i përket subjektit të rivlerësimit Irma Balli dhe të urdhërojë KPK të vazhdojë të kryejë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Irma Balli, edhe për kriteret e kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Kujtojmë se, KPK me 19 shkurt 2019 vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Irma Balli, me detyrë Prokurore/drejtuese e Prokurorisë së Apelit në Korçë. Këshilli vendosi rikthimin në detyrë të prokurores Balli.

Gjithashtu, Këshilli vendosi me 10 vota pro dhe 1 kundër (z. Kostaq Beluri), ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të znj. Ollga Visi si drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Këshilli vendosi me votë unanime, tre caktime të përkohshme për një periudhë tremujore nga hyrja në fuqi të vendimeve, të z. Abaz Muça në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Mat, të z. Rifat Kojku në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër dhe të z. Edmond Karriqi në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës.

Me 7 vota pro dhe 4 kundër (z. Kostaq Beluri, z. Bujar Sheshi, znj. Esmeralda Keshi dhe z. Tartar Bazaj), Këshilli caktoi përkohësisht znj. Pranvera Gruda, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Shkodër, për një periudhë tremujore nga data 19.06.2021 -18.09.2021.

Në vijim, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqim për një periudhë 1-vjeçare, të z. Gjergji Ceka në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec.

Ai do të ushtrojë detyrën si Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec, përkohësisht nga data 01.07.2021- 30.06.2022.

Në zbatim të rendit të ditës, Këshilli vendosi unanimisht për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak dorëheqje për znj. Anila Galanxhi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Dorëheqja jep efekt më datë 15.07.2021.

Gjithashtu, Këshilli vendosi pro për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak dorëheqje për z. Granit Shahu, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Dorëheqja jep efekt më datë 30.07.2021.

Me votë unanime, Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit znj. Elfrida Bregova, prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë është regjistruar kërkesa e z. Astrit Halilaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, për leje të papaguar për arsye shëndetësore.

Pasi u njoh me relacionin shpjegues të përgatitur nga Komisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit, Këshilli vendosi miratimin e lejes së papaguar për prokurorin z. Astrit Halilaj, për periudhën nga data 21.06.2021 deri në datë 20.12.2021.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të përfundojë procedurën e përzgjedhjes së Këshilltarit për Etikën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë filluar me Vendimin nr.170, datë 25.05.2021, për shkak të mungesës së kandidatëve për këtë pozicion.

Si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar, nga lista fillestare prej 15 emrash që Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte rankuar si kandidatë për në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK), është larguar me Vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më datë 10.06.2021, kandidati Anton Martini.

Gjithashtu, me datë 17.06.2021, pranë Këshilli është regjistruar kërkesa e znj. Elisabeta Imeraj për dorëheqje nga lista e SPAK.

Në këto kushte, me propozim të Komisionit të Posaçëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që në pikën 2 të Vendimit nr.137, datë 16.07.2019 “Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë në SPAK”, bëhet ndryshimi si vijon: Altin Dumani, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonai, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.

Në bazë të nenit 160, pika 12 të Ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, anëtarët e Komisioneve i ushtrojnë funksionet e tyre pranë komisioneve për 2 vite e gjysmë nga dita e zgjedhjes.

Në përfundim të kësaj kohe përbërja e komisioneve ndryshohet sipas procedurës së parashikuar.

Referuar këtij neni, anëtarët aktual të Komisioneve të Përhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i ushtrojnë funksionet e tyre deri më datë 26.06.2021, pra dy vjet e gjysmë pas krijimit të tyre.

Në këto rrethana, Këshilli vendosi unanimisht miratimin e përbërjes së re të Komisioneve të Përhershme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë si më poshtë:

Komisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit i përbërë nga anëtarët:
Kryetar: Sandër Beci
Anëtarë: Kostaq Beluri, Tartar Bazaj
Anëtarë zëvendësues: Eloida Goxhi, Nurihan Seiti;
Komisioni i Disiplinës i përbërë nga anëtarët:
Kryetar: Gent Ibrahimi
Anëtarë: Esmeralda Keshi, Kostaq Beluri
Anëtarë zëvendësues: Alfred Balla, Eloida Goxhi
Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale i përbërë nga anëtarët:
Kryetar: Nurihan Seiti
Anëtarë: Vatë Staka, Moisi Duda
Anëtar Zëvendësues: Kostaq Beluri, Gent Ibrahimi;
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i përbërë nga anëtarët:
Kryetar: Bujar Sheshi
Anëtarë: Alfred Balla, Eloida Goxhi
Anëtarë zëvendësues: Esmeralda Keshi, Tartar Bazaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.