KED ndalon tre gjyqtarë të kandidojnë për Gjykatën Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur t’i ndalojë kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese Sinan Tafajt, Dhimitrula Spirros dhe avokatit të njohur, Saimir Vishaj.

Në njoftimin zyrtar të KED-së, këta tre kandidatë kanë disa mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Më tej, KED njoftoi gjithashtu se ky vendim për t’i ndaluar kandidimin tre emrave të sipërpërmendur është marrë pasi është dëgjuar edhe mendimi i Avokatit të Popullit.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë kaloi proces reformimi pas Reformës në Drejtësi të miratuar me 140 vota në Parlamentin shqiptar në vitin 2016.

Vetëm një anëtare nga 9 i shpëtoi shkarkimit. Ajo është Vitore Tusha, e cila shërben si kryetare e Gjykatës, ndërkohë deri më tani janë zgjedhur 7 nga 9 anëtarë gjithsej që ka kjo gjykatë.

7 anëtarët janë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 31.08.2021, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me këtë rend dite:

  1. Raportim nga ana e relatorëve në lidhje me ecurinë e deritanishme të procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe problematikat e hasura.
  2. Prezantim i raporteve të përgatitura nga relatorët, sipas vendeve të shpallura për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me kandidaturat e 1) Sinan Tafaj, 2) Dhimitrula Spiro dhe 3) Saimir Vishaj, me qëllim vlerësim dhe vendimmarje nga ana e KED.
  3. Te tjera.

Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara, që kërkohen për përzgjedhjen dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

Ndalimin e kandidimit dhe mos vijimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:

  1. Sinan Tafaj, për vendin vakant të Zj. Vitore Tusha dhe vendin vakant të Z. Gani Dizdari;

Zj. Dhimitrula Spiro, për vendin vakant të Zj. Vitore Tusha dhe vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha;

  1. Saimir Vishaj, për vendin vakant të Zj. Vitore Tusha, vendin vakant të Z. Gani Dizdari dhe vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha.

Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të tyre do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.