Kanabisi hiqet nga lista e drogave, tashmë do të njihet si ilaç

Komisioni i Kombeve të Bashkuara për lëndët narkotike ka vendosur që ta njohë kanabisin si substancë terapeutike. Vendimi erdhi pas një sërë masash të propozuara mbi reformën ndërkombëtare të marijuhanës.

Sipas këtij vendimi, kanabisi hiqet nga lista e drogave të rënda si heroina dhe kokaina dhe mund të përdoret gjerësisht te pacientët që e kanë të nevojshme atë. Edhe mjekësia e ka sugjeruar shpeshherë përdorimin e kësaj substance për disa sëmundje dhe më shumë se 50 vende të botës kanë miratuar tashmë programe medicinale të kanabisit.

Alfredo Pascual, një analist për botimin tregtar “Marijuana Business Daily”, tha në një njoftim për shtyp se kanabisi nuk është aq i rrezikshëm sa besohej rreth 60 vite më parë. Ky në fakt është një lajm i mirëpritur për miliona njerëz që përdorin kanabis për qëllime terapeutike dhe pasqyron realitetin e rritjes së tregut për produktet medicinale me bazë kanabisin.

Komisioni votoi me 27 vota pro për rivlerësimin e kanabisit, ndërsa 25 ishin kundër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Afrika e Jugut ishin ndër vendet që votuan pro, ndërsa Brazili, Kina, Rusia dhe Pakistani votuan kundër.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.