Interes i lartë për vaksina/ Shumica, punonjës të administratës dhe marketeve

Fluksi i qytetarëve që presin të vaksinohen vijon të jetë i madh edhe në ditën e dytë nga hyrja në fuqi e certifikatës së vaksinimit për disa kategori.

Me dhjetëra qytetarë po presin në radhë në qendrën e vaksinimit në stadiumin Air Albania, për të marrë dozat e vaksinës antiCovid. Një pjesë e tyre janë punonjës të administratës publike, supermarketeve apo të qendrave tregtare.

Cilën dozë po merr?

– “Të parën, Pfizer!”, thotë një qytetar.

– “Të parën, Pfizer, sepse u bë e detyrueshme nga puna”, shprehet një tjetër.

Të shumtë janë edhe ata qytetarë që rikthehen për të bërë dozën e tretë.

“Doza e tretë, Pfizer”, thotë një qytetar.

“Unë kam bërë 2 doza coronavac, dhe mora dozën e tretë Pfizer”, shprehet një tjetër.

Vaksinat Pfzer dhe Coronavac vijojnë të jenë më të kërkuarat nga qytetarët.

“Deri tani që është ora 12:00 janë kryer 220 vaksina dozë e parë, dhe gati 5% dozë e tretë. Janë kryesisht punonjës të administratës dhe të marketeve. Këta që kthehen për dozën e tretë kanë kaluar të paktën 6 muaj nga marrja e të dy dozave të para”, thotë vaksinatorja Glidiona Lika.

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, deri tani janë kryer në total rreth 2.4 milionë vaksina antiCovid, prej të cilëve më shumë se 1 milion qytetarë i kanë marrë të dyja dozat, ndërsa rreth 151.000 persona kanë kryer edhe dozën e tretë.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.